Lula: Besimi te institucionet mbetet sfidë, të rinjtë pak të informuar për sigurinë ushqimore
Këtë të premte, në emisionin “Alert”, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua mbi sfidat e konsumatorëve dhe nivelin e ndërgjegjësimit për sigurinë ushqimore.
Në një lidhje online, Rudina Lula, Drejtore e Qendrës për Ekselencë “Destiny”, foli për analizën e bërë në kuadër të projekteve të mbështetura nga Bashkimi Europian mbi nivelin e ndërgjegjësimit dhe praktikat e konsumatorëve në fushën e sigurisë ushqimore.
Sipas saj, nga studimet e realizuara rezulton se të rinjtë kanë një nivel informacioni për sigurinë ushqimore, por ky informacion mbetet shpesh sipërfaqësor. Më shumë se gjysma e tyre nuk dinë si të plotësojnë një ankesë apo ku duhet të drejtohen për të kërkuar zgjidhje.
Lula theksoi se një tjetër element i rëndësishëm mbetet besimi te institucionet, i cili sipas saj kërkon një punë më të madhe dhe bashkëpunim mes institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas saj, pikërisht kjo çështje ishte një nga temat kryesore të diskutuara në tryezën e zhvilluar në kuadër të Ditës Botërore të Konsumatorit, ku u theksua nevoja për më shumë informim dhe mekanizma më efektivë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

