Teliti: Transparenca në shërbimet publike mbetet sfidë për mbrojtjen e konsumatorit

Këtë të premte, në emisionin “Alert”, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u diskutua mbi sfidat e konsumatorëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre në treg.

E ftuar në studio ishte Ersida Teliti, Drejtore e Qendrës “Konsumatori Shqiptar”, e cila u ndal te rëndësia e transparencës në funksion të mbrojtjes së konsumatorit.

Sipas saj, koncepti i transparencës ndahet në dy pjesë, ndërsa një nga problematikat kryesore mbetet transparenca në shërbimet publike, e cila sipas Telitit është ende e pamjaftueshme.

Ajo theksoi se rritja e transparencës do ta bënte më të lehtë për tregtarët të përmirësonin politikat e tyre, për qytetarët të kuptonin më mirë të drejtat që kanë, si dhe për institucionet të trajtonin më efektivisht problematikat e konsumatorëve.

Teliti u ndal gjithashtu edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se Kapitulli 12 lidhet me sigurinë ushqimore dhe shërbimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa kapituj të tjerë si lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve, siguria financiare dhe konkurrenca janë të lidhur ngushtë me këtë fushë.

Sipas saj, është shënuar një përmirësim i situatës në kuadër të Kapitullit 28, që lidhet me mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik, ndërsa theksoi se kapitujt e negociatave janë të ndërlidhur dhe ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e mbrojtjes së konsumatorit në Shqipëri.

PËR MË SHUMË NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”