Dy gjoba në një muaj: “Rossmann & Lala” kapet sërish në shkelje për qumështin e foshnjave me prezencë cereulidi

Sinjalizimet nga Bashkimi Europian për tërheqjen nga tregu të qumështit për fëmijë me prezencë të toksinës cereulide kanë nxjerrë në pah shkelje të përsëritura të subjektit importues “Rossmann & Lala” në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kontrollin e sigurisë ushqimore për produktet e destinuara për foshnjat.

Pas njoftimit të dytë nga sistemi europian i alarmit për ushqimin, RASSF, për tërheqjen nga tregu të qumështit “Aptamil 800 gr” me datë skadence 10.11.2026, tek subjekti importues “Rossmann & Lala” u konstatuan sërish mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë së produktit.

Mungesa e gjurmueshmërisë cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe, në këtë rast, bëhet fjalë për një produkt delikat si qumështi për fëmije. Në mungesë të një sistemi të saktë gjurmueshmërie, autoritetet hasin vështirësi serioze për të ndërhyrë në kohë, pasi:

•       Nuk dihet në cilat supermarkete ka përfunduar qumështi.

•       Nuk dihet sa njësi janë shitur.

•       Nuk mund të bëhet tërheqje e saktë dhe e menjëhershme.

Për shkak të shkeljeve të konstatuara, AKU ka marrë masë administrative “gjobë” për mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë dhe për mosveprim në përputhje me kërkesat e ligjit mbi përgjegjësitë e operatorit të bisnesit.

Kjo është hera e dytë brenda një muaji që AKU ndëshkon me gjobë subjektin “Rossmann & Lala”, fakt që sipas burimeve institucionale tregon se problematika nuk është një rast i izoluar, por një shqetësim i përsëritur në menaxhimin e produkteve ushqimore të importuara nga ky operator.

Burime zyrtare bëjnë me dije për “Ora News” se sasia e qumështit për fëmijë që është shitur në treg arrin në 276 kuti, me peshë 800 gram secila. Produkti është shpërndarë dhe shitur në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Korçën, Vlorën, Lezhën dhe Shkodrën.