FOTO+VIDEO/ “Luftë” brenda dhe jashtë Kuvendit! Policia rrethon godinën e Kuvendit, 1500 efektivë në gatishmëri
Përfaqësues të PD kanë njoftuar Policia e Tiranës për zhvillimin e një tubimi ditën e sotme, në orën 10:00, para Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas policisë, janë marrë një sërë masash me qëllim garantimin e rendit.
Në gatishmëri janë vendosur 1500 efektivë policie.
Në kuadër të këtyre masave, do të kufizohet qarkullimi i automjeteve nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit në rrugën Rruga George W. Bush, pranë Parlamentit.
Autoritetet bëjnë të ditur se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore.
Në rast bllokimesh, policia ka parashikuar devijimin e automjeteve në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
Njoftimi i Policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
LUFTË BRENDA DHE JASHTË KUVENDIT
Sot në Kuvendin e Shqipërisë mazhoranca pritet të rrëzojë kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Në njoftimin e rendit të ditës, Kuvendi bën me dije se kjo pikë do të jetë e para, fill pas nisjes së seancës në ora 10:00.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka njoftuar se protesta e radhës kombëtare do të mbahet po në datën 12 mars, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve demokratë që të mblidhen përpara Kuvendit.
Ora e protestës është njoftuar 10:00, e cila përkon me nisjen e seancës plenare.
Thirrjet e Berishës për protestuesit jashtë Kuvendit dhe paradite, ndryshe nga protestat e tjera kombëtare që janë zhvilluar në orët e pasdites, në fokus ka pikërisht votimin për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.


