Opozita drejt sheshit pas votimit në Kuvend/ Baçi: Jo vetëm demokratët, edhe socialistët të dalin në protestë

Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi ishte i ftuar në studion e Ora News, ku foli për seancën parlamentare që pritet të votojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ai u ndal te procedura që do të ndiqet në Kuvendi i Shqipërisë dhe te protesta e paralajmëruar nga opozita jashtë parlamentit.

Sipas tij, në seancë do të paraqiten dy raporte, pasi Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk arriti një qëndrim të përbashkët.

Raporti i opozitës pritet të lexohet nga deputeti Oerd Bylikbashi, ndërsa ai i mazhorancës nga Ulsi Manja, përpara se të kalohet në votimin elektronik pa debat.

“Do të lexohen dy raporte sepse Këshilli i Mandateve nuk doli me një vendim të përbashkët. Raporti i opozitës do të lexohet nga zoti Bylikbashi, ndërsa ai i mazhorancës nga zoti Manja. Më pas kalohet direkt në votim të hapur elektronik dhe nuk ka diskutime për këtë pikë të rendit të ditës.”- u shpreh Baçi

Baçi u ndal edhe te protesta e paralajmëruar para Kuvendit, duke bërë thirrje që në tubim të marrin pjesë jo vetëm mbështetës të opozitës, por edhe qytetarë të tjerë që, sipas tij, ndihen të zhgënjyer nga situata politike.

“Qytetarët që do të jenë jashtë duhet të jenë në shumicë qytetarë të paangazhuar. Përveç demokratëve, nesër duhet të jenë edhe socialistë të ndershëm që ndihen të vjedhur, sepse përfaqësuesja e tyre politike është kapur me presh në dorë dhe kërkon të mbrohet me imunitet. Nëse kanë besim te drejtësia dhe te SPAK-u, atëherë nuk ka arsye për frikë dhe imuniteti duhet dorëzuar.”-tha ai.

Seanca pritet të zhvillohet mes tensioneve politike, ndërsa votimi për imunitetin e zv.kryeministres shihet si një nga momentet më të debatueshme të ditëve të fundit në parlament.

Jashtë Kuvendit, opozita ka paralajmëruar protestë, duke kërkuar që çështja të mos mbetet vetëm një përplasje mes forcave politike, por edhe një reagim qytetar.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: