Hitaj: Nëse Rama është i bindur që ajo është e pafajshme, atëherë duhet ta linte të përballej me drejtësinë

Gazetari Arbër Hitaj ishte i ftuar në emisionin Ora e Betit, ku komentoi debatin politik që ka nisur pas vendimit të mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku.

Sipas tij, në këtë rast duhet bërë një ndarje mes aspektit ligjor dhe atij politik.

Ai tha se ligjërisht një mazhorancë parlamentare nuk është e detyruar të pranojë çdo kërkesë që vjen nga drejtësia, por debati që po zhvillohet lidhet më shumë me përgjegjësinë politike dhe morale.

“Ligjërisht asnjë mazhorancë nuk detyrohet të pranojë çdo kërkesë që vjen nga drejtësia. Në rastin konkret nuk ka shkelje të kuadrit ligjor, por kemi një çështje politike dhe morale.”- u shpreh Hitaj.

Hitaj u ndal edhe te mënyra se si u menaxhua debati brenda Partisë Socialiste dhe te reagimet publike të eksponentëve të saj.

Sipas tij, ndryshe nga sa u përfol, disa drejtues të lartë të partisë dolën publikisht për të mbrojtur vendimin politik.

Ai shtoi se nëse kryeministri Edi Rama është i bindur për pafajësinë e ministres, përballja me drejtësinë do të ishte një mënyrë për ta sqaruar çështjen deri në fund.

“Nëse Rama është i bindur që Balluku është e pafajshme, atëherë duhet ta linte të përballej me drejtësinë. Në fund të procesit do të dilte e pafajshme.”-tha ai.

Hitaj u ndal edhe te reagimi i faktorit ndërkombëtar.

Ai tha se deri tani nuk ka pasur një presion të fortë nga partnerët ndërkombëtarë, gjë që sipas tij ka krijuar një hapësirë më të madhe veprimi për mazhorancën.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":