“Protestuesit në paraburgim, ministrja jo”/ 'Shpërthen' Balliu: Dy standarde për drejtësinë, arrestimi gjatë tubimit s'është normal
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ishte i ftuar në emisionin Ora e Betit, ku foli për debatin politik lidhur me drejtësinë dhe akuzat ndaj qeverisë për standard të dyfishtë në trajtimin e çështjeve të arrestimeve dhe protestave.
Balliu u ndal te qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në lidhje me hetimet ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke i krahasuar ato me mënyrën si u trajtuan protestuesit e Projekti i Unazës së Re në Tiranë disa vite më parë.
Sipas tij, nga fjalimi i gjatë i kryeministrit del ideja se paraburgimi konsiderohet problem kur bëhet fjalë për një ministre të qeverisë, ndërsa për qytetarët që protestojnë ai është parë si i pranueshëm.
“Edi Rama tha se paraburgimi është problem dhe nuk është normal kur bëhet fjalë për Belinda Ballukun. Por për qytetarët që arrestohen për protesta është shumë normale.”- u shpreh Balliu.
Balliu solli si shembull protestën e banorëve të Unazës së Re, ku rreth 40 qytetarë u mbajtën në paraburgim për disa muaj pasi kundërshtuan projektin rrugor. Sipas tij, banorët protestonin për një projekt që u shoqërua me akuza për shkelje dhe kosto shumë të lartë financiare.
Ai kujtoi se segmenti i rrugës është konsideruar si një nga më të shtrenjtët për kilometër, ndërsa në atë zonë, sipas opozitës, kanë ndodhur edhe aksidente me pasoja për jetën e qytetarëve.
“Rreth 40 banorë janë mbajtur në paraburgim për tre muaj sepse protestonin kundër një afere që u quajt kilometri më i shtrenjtë në botë, 25 milionë euro për kilometër.”- tha ai.
Deputeti i opozitës u shpreh se përgjegjësia për çështjen që po diskutohet nuk mund të mbetet vetëm te ministrja Balluku. Sipas tij, vendimet për projekte të tilla nuk merren nga një person i vetëm.
Ai tha se opozita pret zhvillimin e seancës ku do të diskutohet raporti për këtë çështje dhe ku pritet të dëgjohet edhe vetë ministrja Balluku.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":

