Një tjetër i pandehur i SPAK-ut del "pro" Sokol Sadushit

Ish-deputeti socialist, Plarent Ndreca, një ndër emrat e njohur të drejtësisë, i marrë edhe si i pandehur nga SPAK-u, ka dalë në mbështetje të kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, sa i takon qëndrimit për çështjen e paraburgimit.

Në një studio televizive, Ndreca doli hapur pro Sadushit për rastin e kryebashkiakut të arresstuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-presidentit Ilir Meta.

Në fakt, halli i Ndrecës është Veliaj, ndërsa Meta përdoret thjesht si variant, pasi ky i fundit nuk është zyrtar, por ish-zyrtar.

Rastet janë krejt të ndryshme, pasi Veliaj është një kryebashkiak në detyrë, ndërsa Ilir Meta nuk ka çfarë prove të prishë.  

“Nga çdo drejtim i mundshëm vijnë kritika për çështjen e masave të sigurimit, respektimin e kritereve dhe kushteve për vendosjen e një mase sigurimi. Kanë ardhur kritika të forta edhe nga BE-ja. Ju e dini që para disa javëve ishte edhe drejtori për të drejtat e njeriut në BE, që hodhi kritika të forta për paraburgimet në Shqipëri, ashtu siç hodhi kritika edhe për mënyrën se si gjykatat vendosin mbi përcaktimin e kritereve apo afateve për të qëndruar në paraburgim, i cili nuk vlerësohet në mënyrë dinamike ashtu siç Gjykata e Strasburgut e ka vendosur. Gjykata e Lartë është e vonuar. Kjo iniciativë e kryetarit të Gjykatës së Lartë është për t’u përshëndetur, por është e vonuar. Sepse Gjykata e Lartë është ajo që në fakt duhet të bllokonte rastet që janë bërë shkak për të ndryshuar praktikën, si rasti 'Hysaj' apo 'Gëllçi'. Gjykata e Lartë nuk duhet të lejonte që këto çështje të shkonin në Strasburg dhe të dënohej Shqipëria. Referuar praktikave të Strasburgut, në dy raste që të paktën i njoh, nuk do të kishin shkuar në këto masa ekstreme. Erion Veliaj nuk do të kishte shkuar në ‘arrest me burg’ nëse do të ishte kjo praktikë. Sepse Veliaj ka edhe një mandat të dhënë nga qytetarët, është në detyrë dhe ka një mandat të rikonfirmuar nga Kushtetuesja. Edhe për Ilir Metën, ndoshta mund të ishte bërë, por jo që masa të zgjatej kaq gjatë. Fakti që është në burg kryetari i shtetit tonë, nuk është diçka që nuk duhet konsideruar. Veliaj dhe Meta janë në Kushtetuese. Vetëm nëse Kushtetuesja mban të njëjtat masa, një kërkesë e re për ndryshim mase mund t’u shërbejë vendimi i Gjykatës së Lartë kërkesave të reja për zëvendësim mase”, tha Ndreca.

Ndreca është marrë i pandehur nga SPAK për akuzat për shkelje të barazisë në tenderë.

Hetimet janë bërë për tenderin për rikonstruksionin e komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe Tiranës.

Shkeljet Ndreca i ka kryer kur ishte në detyrë si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera./CNA