“Ndërhyrja në drejtësi rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në"/ Bregu: Surpriza e vetme mund të vijë nga reagimi i...

Gazetari Zylyftar Bregu ishte i ftuar në emisionin Ora e Betit, ku komentoi zhvillimet politike lidhur me kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku dhe reagimet që priten brenda dhe jashtë vendit.

Sipas tij, në Kuvend pritet të ndodhë ajo që është paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama.

Mazhoranca socialiste ka votat për të rrëzuar kërkesën e SPAK dhe për të mos lejuar heqjen e imunitetit të ministres.

“Në Kuvend do të argumentohet vendimi që e tha Edi Rama para dy ditësh, pra që nuk do t’i hiqet mandati dhe imuniteti zonjës Balluku. Mazhoranca i ka votat për ta rrëzuar kërkesën e SPAK-ut.”- u shpreh Bregu.

Bregu u ndal edhe te protesta e paralajmëruar nga opozita jashtë parlamentit.

Sipas tij, ky aksion është në vijim të protestave të mëparshme dhe nuk pritet të ndryshojë zhvillimet politike brenda Kuvendit.

Ai shtoi se vëmendja kryesore mbetet te reagimi i partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht i Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

“Ambasada e SHBA-së ka reaguar dhe ka thënë se ndërhyrja në sistemin e drejtësisë vë në rrezik marrëdhëniet me shtetin tonë. Pastaj mbetet të shihet forma dhe ashpërsia e reagimit.”- u shpreh ai.

Sipas gazetarit, një reagim publik është tashmë i pranishëm, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë hapa të tjerë diplomatikë nga partnerët ndërkombëtarë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":