Edison Memolla kërkon shfuqizimin e vendimit të Apelit/ Një vit burg në pritje të Gjykatës së Lartë
Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla, ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila e shpalli fajtor për korrupsion zgjedhor dhe e dënoi me një vit heqje lirie.
Aktualisht, Memolla ndodhet në burg dhe ka nisur të kryejë këtë dënim.
Seanca në Gjykatën e Lartë ende nuk ka një relator të caktuar dhe nuk është përcaktuar data e zhvillimit.
Rekursi i Memollës ka për qëllim prishjen e vendimit të Apelit, i cili kishte lënë në fuqi dënimin e shkallës së parë nga Gjykata e Posaçme.
Hetimi i SPAK nisi pas publikimit në media të një audio-përgjimi, ku Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, u përpoq të ndikonte tek një elektriçist për të mos ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Hetimet treguan se ky ndikim kishte për qëllim sigurimin e votave për zgjedhjet lokale të pjesshme të vitit 2022.
SPAK zbuloi gjithashtu se Memolla kishte biseduar me elektricistin Blerim Xhamani për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës në këmbim të votës.
Apeli i Posaçëm e dënoi Memollën me një vit burg, po ashtu Blerim Xhamanin dhe Ndriçim Tafshafën. Isuf Tosku u dënua me 8 muaj heqje lirie, i cili iu konvertua në 1 vit e 4 muaj shërbim prove.
Aktualisht, Edison Memolla ndodhet i izoluar në burgun e Rrogozhinës.

