VIDEO/ DALIN PAMJET! Ja si hackerat e “Homeland Justice” thyen sigurinë dhe vodhën të dhënat e Kuvendit të Shqipërisë
Kjo video tregon momentin kur hakerat Homeland Justice, një grup i dyshuar i lidhur drejtpërdrejt me Iranin, arrijnë të futen dhe të fshijnë materiale në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në materialin e publikuar në rrjetin Telegram, tregohet fshirja e qindra gigabajtëve të dhëna, mes të cilave duken skedarë procesverbalesh, regjistra të dhënash, urdhra prokurimesh, por edhe emra deputetësh. Një prej folderave mban emrin e Fatmir Xhafës.
Më herët, përmes një mesazhi, hakerat e Homeland Justice morën përsipër autorësinë e sulmit kibernetik në sistemin e brendshëm të Kuvendit, ndërsa pretendojnë se kanë kopjuar bisedat dhe korrespondencën e anëtarëve të Kuvendit.
“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice”, shkruhej në mesazhin e publikuar.
Në një tjetër postim ata kërcënojnë me veprime të tjera në vijim.
“Po i afrohemi orës zero. Shpresojmë që ta kuptoni çfarë duam të themi”, thuhet në mesazhin e publikuar.
Në një tjetër postim kërcënues në Telegram, ata i referohen strehimit të muxhahedinëve si motiv për sulmet ndaj vendit tonë.
“Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni. A i keni strehuar vërtet ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që ky turp të mbetet me ju përgjithmonë”, thuhet në mesazh.
Kuvendi, në një reagim zyrtar, pranoi sulmin kibernetik dhe fshirjen e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës.
Sipas njoftimit, infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur dhe faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit, vijojnë të funksionojnë normalisht.
Vlerësimi paraprak teknik, sipas Kuvendit, tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ndërkohë bëri të ditur se është ngritur një grup pune për analizimin e rastit dhe se ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike dhe duke marrë masat e nevojshme.
Grupi Homeland Justice dyshohet se qëndronte edhe pas sulmit ndaj platformës e-Albania dhe sistemeve të tjera shtetërore në Shqipëri në vitin 2022.
Pas atij sulmi, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

