Risi në shërbimin mjekësor/ Lahe: "Shëndet për të gjithë", ndihmon pacientët që s'lëvizin dot, trajtohen brenda në shtëpi
Në emisionin "Epiqendër" ka qenë menaxherja e organizatës "Together for Life", Alma Lahe, foli për shërbimin e ri të kujdesit shëndetësor që ofrohet në qendrat shëndetësore publike dhe që synon të mbështesë pacientët me pamundësi të përkohshme ose të përhershme në lëvizshmëri.
Ky shërbim i kujdesit në banesë është i dedikuar për të gjithë ata që e kanë të vështirë të lëvizin, përfshirë të moshuarit, fëmijët me probleme lëvizshmërie, pacientët pas ndërhyrjeve kirurgjikale dhe personat me aftësi të kufizuara.
Ai u pilotua për herë të parë në vitin 2021 në shtatë qendra shëndetësore në Dibër dhe Fier, si pjesë e projektit “Shëndet për të gjithë”, i mbështetur nga qeveria zvicerane.
Që nga viti 2024, shërbimi është zgjeruar dhe ofrohet në qendra të tjera shëndetësore publike në të gjithë vendin, duke mundësuar trajtim në shtëpi dhe qasje më të lehtë për pacientët më vulnerabël.
“Është një shërbim që u vjen në ndihmë të gjithë pacientëve që kanë probleme me lëvizshmërinë, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit. Trajtimi bëhet në shtëpi, pa qenë nevoja të qëndrojnë të shtruar në spital, dhe kjo përmirëson ndjeshëm jetën e tyre dhe lehtësinë për të marrë kujdesin e nevojshëm.”- u shpreh Lahe.
Ky shërbim synon të sjellë trajtim të vazhdueshëm dhe të personalizuar për pacientët që përballen me sfida të lëvizshmërisë, duke u mundësuar të qëndrojnë në komoditetin e banesës së tyre dhe të marrin kujdes mjekësor në kohën e duhur.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR":

