K*kaina nga Kolumbia, goditja e 3-të brenda dy vitesh të grupeve shqiptare, burg 3 të arrestuarve të fundit

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat arrest në burg për Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola, në kuadër të fraksionit të ndarë të kokainës së Frakullit. Kujtojmë se Aldi Zonja është arrestuar më herët për vepra të ngjashme penale, të grupit që u godit në nëntor të 2024, që sillnin kokainë me lëkurë gjedhesh nga Amarika Latine dhe e përpunonin në 3 laborator që u zbuluan në Shqipëri. Për operacionin e fundit u shpallën në kërkim Durim Keçi dhe Kevin (Arjan) Margjoni.

Personat e mësipërm akuzohen për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.

Për këtë episod trafikimi janë dënuar me 88 vite në total 10 shtetas shqiptarë mes të cilëve ish-kryekomunari Viktor Çervanaku, Nikolin Gjolena, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra, Zenel Çervanaku, Redion Meshi, Enxhi Ferhati, Marildo Rona, Bledar Matoshi dhe Julian Malaj ndërsa vijon gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian, Samir Rosales Rodriguez

Për operacionin e fundit janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar:

* 1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018;
* 1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012;
* 1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012;
* 1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017;
* 2 aparate celularë. 

Hetimet thotë SPAK vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.