"Janë lënë në vetmi"/ Xhihani: Emigrimi ka krijuar ndarje mes familjeve, pasoja për shëndetin mendor e moshave të treta

Në emisionin "Epiqendër" ka qenë koordinatorja kombëtare e programit “Mbështetja Psiko-Sociale” në Kryqin e Kuq shqiptar, Juliana Xhihani, e cila foli për një problem të rëndësishëm që prek të moshuarit në vend.

Vetminë dhe izolimin social, që po ndikojnë thellë në shëndetin e tyre mendor.

Xhihani theksoi se emigrimi masiv ka krijuar një ndarje mes familjeve, duke lënë pas prindërit e moshuar, të cilët përballen me mungesën e kontaktit me fëmijët dhe nipërit.

Ajo bëri me dije se kjo situatë krijon terren për shfaqjen e simptomave të problemeve psikologjike, të cilat shpesh mbeten pa adresim.

“Të moshuarit prisnin të rriteshin me familjarët e tyre, me fëmijët dhe nipërit, por shumë prej tyre janë lënë vetëm. Vetmia dhe izolimi social kanë pasoja të mëdha tek shëndeti i tyre mendor. Shumë shpesh nuk presim që të moshuarit të kenë problematika të shëndetit mendor, por ata gjithashtu mund të kenë simptoma që duhet të adresohen.”- shtoi koordinatorja.

Ajo u shpreh se shoqëria duhet të ndryshojë fokusin dhe t’u japë rëndësi më të madhe nevojave psikologjike të të moshuarve, duke ofruar mbështetje sociale dhe qasje më të mirë në shërbime shëndetësore.

Ky problem sipas Xhihanit është i heshtur, por ndikimi i tij në cilësinë e jetës dhe shëndetin e të moshuarve është thelbësor dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR":