Goditja e vilës së Enver Hoxhës me molotov/ Çollaku: Atje ndodheshin shtetas të huaj, siguria dhe rendi nuk ka pasaportë

I ftuar në studion e Ora News, gazetari Basir Çollaku komentoi debatin e fundit mbi menaxhimin e protestave tës opozitës dhe akuzat për standard të dyfishtë nga ana e Policisë së Shtetit në raport me shtetasit shqiptarë dhe të huaj.

Duke iu referuar incidentit pranë vilës së diktatorit Enver Hoxhës, ku protestues hodhën mjete piroteknike në një zonë ku ndodheshin edhe shtetas të huaj, Çollaku ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e reagimit të autoriteteve dhe mesazhin që përcillet në opinionin publik.

Ai tha se jeta dhe siguria e çdo individi duhet të mbrohen njësoj, pa dallim shtetësie, dhe se rendi publik nuk mund të funksionojë me standarde të ndryshme.

“Policia ka detyrim të garantojë rendin, sigurinë dhe jetën e çdo individi, pavarësisht çfarë shtetësie apo etnie ka. Rendi dhe siguria nuk janë me targa dhe nuk janë me pasaporta.”-tha ai.

Çollaku u ndal edhe te kërkesa për shkarkimin e një drejtuesi të lartë të policisë së Tiranës. Sipas tij, motivi i paraqitur publikisht lidhet me episodin e fundit, por arsyeja reale duhet kërkuar në ngjarje të mëparshme.

“Unë mendoj se ky është preteksti dhe jo shkaku. Problemi qëndron te ushtrimi i dhunës ndaj protestuesve në manifestimet e mëparshme.”- shtoi Çollaku.

Debati për mënyrën e ndërhyrjes së policisë gjatë protestave ka rikthyer në vëmendje çështjen e barazisë para ligjit dhe proporcionalitetit në përdorimin e forcës.

Ndiqni intervistën e plotë: