Berisha mbyll protestën: I drejtoi topat drejt meje! O langaraq, ku ka topa që më lëkundin! Fishekzjarret tek vila e ish-diktatorit ishin kundër Ramës
Marshimi i cili nisi rreth orës 18:30 është mbyllur. Protestuesit u mblodhën në selinë blu, ndërsa Flamur Noka dhe Sali Berisha mbyllën protestën.
Berisha tha se protesta e sotme i kalli tmerrin dhe frikën narkodiktatorit Edi Rama
“Shi triumfi si marshi juaj sot. Kjo datë do të shkruhet me gërma të arta. I kallët tmerrin Ramës. tubimi do vijojë deri në fitore”, tha Berisha.
FJALA E BERISHËS
Heronj të vërtetë jeni! Tirana në tërë ekzistencën e saj nuk ka njohur një marshim triumfi si marshi juaj sot. Kjo datë, 28 shkurti do gdhendet me germa të arta në historinë e kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër narkoshtetit. Për tre orë, marshi juaj ishte marshi i fitores, ishte marshi i shqiptarëve, i dinjitetit, i guximit. Ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju u dërguat miqve tanë në Europë dhe në botë. I kallët tmerrin dhe datën narkodiktatorit Edi Rama. Qytetarë dhe qytetare, në marshim e sipër agjentë të infiltruar të policisë kriminale mashtruan kryengritësit se në shtëpinë e ish-diktatorit banon Edi Rama. Dhe kjo ngjalli një revoltë të pakufishme dhe bëri ata që ata t’i përvishen asaj banese. E gjithë beteja ishte shpërthim urrejtje ndaj Edi Ramës dhe jo ndaj ndërtesave. Por, Edi Rama nuk banonte aty miq. Edi Rama banonte tek vila e Mehmet Shehut. Prandaj Edi tani fut jo një agjent, por edhe 120 agjentë po të fusësh, nuk do mund të devijosh më. E dimë ku je, në Surrel ose tek vila e Mehmet Shehut. Kjo është e vërteta. Për sqarim. Për të tjerat, ju e patë vetë madhështinë e revoltës tonë paqësore. Rrugaçërinë e Ilir Prodës dhe Sokol Bizhgës, dy vasalë, mercenarë të Edi Ramës, të cilët do kenë fatin e tij. Miq, korrëm një fitore tjetër sot. Arritëm një rekord të ri në protestën tonë, çka do të thotë asgjë nuk na ndal ne pa e hedhur Edi Ramën aty ku e meriton, në koshin e plehrave të historisë. Dënoj me forcën më të madhe dhunën jashtë çdo lloj shkaku të përdorur ndaj protestuesve me urdhër të Edi Ramës. E patë dhe vetë, në një kohë kur ne po rrinim të qetë, topat e ujit i drejtoi drejt Sali Berishës, por i them se je i pashpresë o budalla. O lëngaraq. Po ku ka topa që më lëkundin mua. Ta tregoj mirë.
Zoti Berisha, si do vijojë aksioni juaj?
Sali Berisha: Absolutisht do vijojë e pandalshme, e fuqishme gjer në fitore. A i sheh këta këtu? Në qoftë se unë u them tani, për 25 minuta këta janë në Surrel. E kam shumë të qartë atë unë. Po pse, kot. Unë kam besim të plotë tek ju, tek guximi juaj, tek qëndresa juaj. Ndaj dhe një mirënjohje për këtë marshim kryengritës paqësor që Tirana nuk e ka parë ndonjëherë. I dhatë Tiranës një vitalitet, një besim, një guxim që kishte shumë nevojë. Tani, të gatashëm na pret kryengritja tjetër. Ne nuk ndalemi. Bota këtë pret, shqiptarët këtë presin nga ne, miqtë tanë në Europë dhe në botë këtë presin nga ne. Edi Rama, vrimën e miut, nuk ke ku futesh.
Në çfarë date është protesta e radhës?
Sali Berisha: Protestën e radhës do ua njoftojmë shumë shpejt. Ja, sa më shpejt. Bravo. Bravo, bravo!
Zoti Berisha, do jetë në këtë formë apo në forma të tjera?
Sali Berisha: Tani, do jetë forma që ta tmerrojë më shumë Edi Ramën. Ju e patë vetë se si ishte bërë gjysmë mejt tek bënte vetëmbrojtjen në bankën e akuzës. U garantoj o miq se siç përcollëm Lubinë, do përcjellim Ramën ne. Po, po, nuk ka ku të shkojë! Ja, ylli, ky është superstari i marshimit. Sot, prania e të rinjve, e adoleshentëve dhe të rinjve ishte kampion. Ata ishin ç’është e vërteta balli, energjia, guximi i marshimit kryengritës. Bravo, bravo, bravo!
Zoti Berisha, a kishit ju dijeni që kishte artistë brenda ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha sepse nga rrjetet sociale ka pasur artistë të huaj që kanë publikuar pamje nga sulmi me molotov brenda vilës së ish-diktatorit Hoxha, e cila tashmë ka një funksion tjetër?
Sali Berisha: Tani do më falësh, të them të vërtetën, për trashëgiminë e Enver Hoxhës kam zero respekt dhe preokupim. Por pyeta se çfarë ndodhi dhe më thanë se ca njerëz me kostume të murrme, me uniforma të agjentëve të policisë kriminale, u thonë protestuesve se këtu tani banon Edi Rama. Dhe ata iu kthyen. Pra, ato fishekzjarre që u hodhën aty ishin kundër Edi Ramës, urrejtje për Edi Ramën. Në fakt Edi Rama nuk banonte aty, banonte tek vila e Mehmet Shehut se e sqarova.
Pra, nuk ka pasur një plan paraprak? Keni një ndjesë për ata artistë të huaj që kanë qenë aty?
Sali Berisha: Ç’punë kanë të huajt aty? Me asgjë në botë Edi Rama nuk retushon dot figurën e Hitlerit shqiptar të pasluftës.
Zoti Berisha, keni qenë për disa vite në pushtet, pse nuk e keni shembur atë vilë më herët?
Sali Berisha: Unë kisha planet e mia. Aty ku sot është Piramida, aty do ndërtohej parlamenti. Tek vila e diktatorit, territori është i privatëve dhe unë do ua ktheja privatëve atë. Projekti për parlamentin u bë dhe ju mund të merrni kronikat tuaja t’i shihni.
Ngeli në letra për buxhetin e lartë?
Sali Berisha: Ajo nuk ngeli në letër për buxhetin e lartë se edhe buxhetin e siguroja. Isha i vendosur. Në qoftë se të kujtohet, u bë një takim në parlament me Edi Ramën, i cili bëri avokatinë njëlloj sikur ta kishte shtëpinë e të atit. Por nuk ia mora për bazë dhe u bë konkurs ndërkombëtar për ndërtesën e parlamentit. I keni të gjitha në kronikat e televizioneve.
VIDEO - PROTESTA E PLOTE E OPOZITES


