FOTO+VIDEO/ KATËR ORË KAOS! Marshim me molotovë, policia me gaz lotsjellës. I vihet flaka vilës së Enverit
Protesta e 5-të e Partisë Demokratike ditën e shtunë (28 shkurt) ishte në formë marshimi në “pikat më të korruptuara”, konkretisht te Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Drejtoria e Policisë Tiranë, selia e Kuvendit dhe për ta mbyllur tek vila e ish-diktatorit Enver Hoxha në Bllok të cilës iu vu flaka me bomba molotov dhe fishekzjarre.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj, zhvilluan ditën e shtunë protestën e pestë kombëtare, e treta brenda këtij muaji, e cila u zhvillua në formën e një marshimi qytetar dhe nuk pati një podium për fjalime nga eksponentë të Partisë Demokratike.
Një pjesë e protestuesve u grumbulluan fillimisht pranë selisë së Partisë Demokratike, nga ku, së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, marshuan drejt Bulevardit për t’iu bashkuar protestës.
Protestuesit u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe pas gati 30 minutash nga nisja e tubimit, ata u drejtuan drejt ambienteve të drejtorisë së Policisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bulevardin “Bajram Curri”.
Gjatë rrugës, protestuesit hodhën koktej molotovë përgjatë marshimit dhe iu vendosën zjarrin koshave të mbeturinave, në kryqëzim me rrugën “Papa Gjon Pali II”, pas Piramidës, si dhe në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.
Pasi mbërritën në afërsi të drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, efektivët e policisë krijuan një kordon policor për të ndaluar protestuesit që të afrohen, gjë e cila shkaktoi tensione dhe përplasje fizike mes deputetëve të PD-së dhe policisë. Policia më pas ndërhyri me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

I lënduar ka mbetur deputeti Luçiano Boçi për shkak të sprajit të hedhur dhe një qytetar i cili shihet i shtrirë në tokë pasi ka humbur ndjenjat.

Pasi u larguan nga drejtoria e policisë, protestuesit marshuan përgjatë rrugëve të kryeqytetit duke hedhur molotov dhe djegur koshat e mbeturinave.
Marshimi i shoqëruar me molotovë të shumtë nga protestuesit e revoltuar u përball me “gardhe” policie, të cilët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me piper.
REAGON QEVERIA
Pas bombave molotovë, Edi Rama ka ironizuar protestën e opozitës ku, në një postim në rrjetin social X, ka ndarë dy fotografi nga sulmet amerikano-izraelite në Teheran, si edhe një kosh që ka marrë flakë nga molotovët që hodhën protestuesit në Tiranë.
Ai shkruan se ndërsa është me botën e lirë kundër regjimit të Iranit, opozita shqiptare është me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës.

Por në fakt, molotovi tek koshat e plehrave ishte një revoltë ndaj Edi Ramës dhe inceneratorëve fantazmë që vetëm marrin lekët e shqiptarëve, ndërkohë që plehrat janë bërë pirg.
“Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës“, shkroi Rama.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme në detyrë, Albana Koçiu e quan provokim marshimin. Në një reagim zyrtar, Koçiu thotë se të shkosh me molotov në Drejtorinë e Policisë është një dëshirë e ethshme për përshkallëzim.
Duke iu drejtuar Berishës, ajo thotë se duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.
“Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës.
Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë.

Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.
Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet”, thuhet në reagimin e ministres së Brendshme në detyrë.
PROTESTUESIT I VËNË FLAKËN VILËS SË ISH-DIKTATORIT ENVER HOXHA
Një situatë e papritur ka ndodhur gjatë marshimit të protestuesve.
Protestuesit i kanë vënë flakën me bomba molotov dhe fishekzjarre vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha në zonën e Bllokut.
Zjarri ka përfshirë godinën, ndërsa menjëherë kanë ndërhyrë autoritetet duke hedhur ujë.
Protestuesit më pas janë larguar duke marshuar në drejtim të Kryeministrisë, aty ku ishte vendosur një kordon policie.
Situata me protestën e opozitës u tensionua dhe u përshkallëzua në zonën e ish-bllokut, ku aty hodhën bomba molotov.
Ndërkohë nga ana e tyre, policia hodhi gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit.
Sali Berisha është sulmuar me topa uji, ndërkohë pre e dhunës policore ranë edhe dhjetëra qytetarë të tjerë.
Në një moment, njëri nga protestuesit teksa shtynte koshat e mbeturinave drejt policisë, drejt tij u hodh sasi e madhe uji, ndërsa ai ra përtokë.

Pranë tij u afruan me shkop gome forcat e policisë, por ishte Flamur Noka dhe të tjerë protestues që e shpëtuan nga duart e uniformave blu.
VIDEO - PROTESTA E PLOTE E OPOZITES



