11 PROTESTUES TË NDALUAR/ Reagon sërish Koçiu: Përgjigjja institucionale do të jetë e paprecedentë

Gazetari Edison Vatnikaj raporton për "Ora News" se aktualisht janë 11 protestues të ndaluar nga policia pas akteve të dhunshme në rrugët e Tiranës mbrëmjen e sotme.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar sërish pas akteve të dhunës nga protestuesit e opozitës gjatë marshimit në Tiranë, duke i cilësuar ato si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë shqiptare, turizmit dhe imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Sipas Koçiut, “u vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë”.

Koçiu theksoi se, “sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale”.

Sipas ministres, ajo që ndodhi në rrugët e Tiranës nuk mund të konsiderohet protestë demokratike, por “një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë”.

Ministrja shtoi se ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit.

“Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore”, nënvizoi ministrja.

Ky sulm sipas ministres “ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet”.

“Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit”, shkruan Koçiu.

Rama reagon për protestën: Opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës