Misioni faktmbledhës/ Qosja: Ndërgjegjësim i komunitetit ndërkombëtar dhe BE-së për situatën e vërtetë në Shqipëri

Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, mori pjesë sot në dëgjesën me Misionin Faktmbledhës të Partive Popullore Europiane (PPE), ku u diskutua mbi procesin zgjedhor të 11 Majit 2025 dhe sfidat e pushtetit vendor në Shqipëri.

Përmes një postimi në Facebook, Qosja vuri në pah rëndësinë e këtij dialogu për ndërgjegjësimin e institucioneve europiane mbi situatën reale në vend.

Postimi i plotë:

Sot në selinë e Partisë Demokratike, pritëm në një dëgjesë të posaçme Misionin Faktmbledhës të Partive Popullore Europiane (EPP) në Parlamentin Europian.

Së bashku me kryetarët e tjerë të Bashkive të opozitës ndamë eksperiencat tona mbi procesin zgjedhor të 11 Majit 2025 si dhe problematikat e  proceseve politike të lidhura me pushtetit vendor në Shqipëri!

Grupi i PPE është grupimi më i fuqishëm politik në Parlamentin Europian dhe shpresojmë shumë që ky takim të ketë kontribuar për rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të Bashkimit Europian për situatën e vërtetë në Shqipëri!

Partia Demokratike është e vendosur të kontribuojë me korrektesë dhe përgjegjësi në këtë komunikim të ri, shumë të mirëpritur për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë!