2 vite për të zbardhur vendimin, Lamallari kërkon hetim për gjyqtaren e Apelit, Irena Brahimin
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar zyrtarisht Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë me kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Irena Brahimi, për vonesë të theksuar në zbardhjen e një vendimi penal.
Në shkresën drejtuar ILD, Ministri I drejtësisë thotë se vendimi i arsyetuar nga gjyqtarja Brahimi është dorëzuar me një vonesë prej 1 viti, 10 muajsh e 20 ditësh, duke tejkaluar ndjeshëm afatin ligjor ku përcaktohet një afat 30-ditor, me mundësi shtyrjeje edhe për 30 ditë të tjera.
Ministri I Drejtësisë thotë se vonesa cenon standardin e gjykimit dhe vlerëson se ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për procedim disiplinor ndaj gjyqtares për shkelje të detyrimeve procedurale.
“Një vonesë e tillë cënon standardin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe ndikon drejtpërdrejtë në realizimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi pengon palët në ushtrimin në kohë të mjeteve të ankimit”
Procedura është vënë në lëvizje pas një ankese të depozituar nga një qytetar, ndërsa verifikimet administrative të kryera nga Ministria kanë provuar vonesën, thuhet në njoftim
Kjo është kërkesa e pestë që Lamallari i drejton ILD-së që nga marrja e detyrës, katër prej të cilave për hetim disiplinor.
Ministria e Drejtësisë bën të ditur se do të vijojë të ndjekë raste të tjera të referuara nga qytetarët, duke theksuar se respektimi i afateve dhe standardeve ligjore është thelbësor për garantimin e një drejtësie të barabartë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
