Ambasadori i BE takon Gjiknurin dhe Bylykbashin/ Gonzato: Proceset zgjedhore të besueshme, prioritet kyç në rrugë drejt anëtarësimit

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimi Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar ecurinë e punës së komisionit në javët e ardhshme.

Në postimin në "Facebook", Gonzato vlerëson se proceset zgjedhore të besueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare mbeten një çështje kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Sipas tij, reforma zgjedhore ka një rol të rëndësishëm për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të shmangur përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale.

Ai kërkon që reforma të jetë e plotë dhe të përfshijë edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut dhe të mbrohet integriteti i zgjedhjeve të ardhshme.