"Protesta e opozitës, njësi matëse"/ Ndoka: Është sensibilizuese për opinionin e mediat, ia kanë dalë të bëhen lajm ndërkombëtar
Në studion e Ora News ishte i ftuar kreu i Partia Demokristiane, Nard Ndoka, i cili foli për dëmtimet e fundit në infrastrukturë dhe situatën që ka çuar në paralizimin e një pjese të madhe të vendit.
“Dëmtimet e rënda në tunele, ura dhe rrugë nacionale nuk vijnë vetëm nga kushtet e motit. Janë produkt i një korrupsioni që ka cenuar cilësinë e veprave publike dhe sot po paguajmë faturën.”- tha Ndoka.
Ai ngriti shqetësimin për largimin e kompanive të huaja nga projektet strategjike, duke argumentuar se ato janë zëvendësuar nga kompani vendase të favorizuara politikisht.
“Këto i kanë dëbuar kompanitë e huaja që punojnë me standarde dhe nuk pranojnë ryshfet. Rruga e Kombit është ndërtuar nga një kompani amerikane dhe nuk ka ceduar. Rruga e Shkodrës nga një kompani austriake, prej më shumë se 20 vitesh, nuk ka pësuar dëmtime. Këto kompani nuk e prishin emrin e tyre për interesa korruptive.”- shtoi ai.
Sipas tij, dëmtimet aktuale janë pasojë e një skeme që ka vendosur përfitimin mbi sigurinë publike, ndërsa kërkoi reflektim për mënyrën se si janë menaxhuar fondet dhe projektet infrastrukturore ndër vite.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokristiane u pyet lidhur edhe për mobilizimin e opozitës dhe çfarë qendrimi mban ai lidhur me tubimet e fundit, të cilat duhet rikujtuar që kanë sjellë kaos në kryeqytet.
Ndoka e sheh si arritjen kryesore faktin që protestat janë kthyer në lajm ndërkombëtar dhe kanë tërhequr vëmendjen e partnerëve të huaj.
Sipas tij, ndikimi nuk matet vetëm me numra, por me jehonën që krijohet dhe presionin që gjenerohet.
“Protesta është një njësi matëse. Është sensibilizuese për opinionin dhe mediat ndërkombëtare. Opozita dhe qytetarët ia kanë dalë ta bëjnë lajm ndërkombëtar dhe kjo është arritja kryesore.”-shtoi ai.
Ai u ndal edhe te reagimi i aktorëve politikë europianë, duke e lidhur me efektin e këtyre lëvizjeve.
“Sot Partitë Popullore Europiane po mbledhin fakte e prova, po kërkojnë qeveri teknike, po kërkojnë largimin e Ramës. Ka një lëvizje që vjen si pasojë e këtij presioni.”- nënvizoi Ndoka.
Më tej, u shpreh se protesta nuk duhet parë si një veprim i izoluar, por si pjesë e një strategjie të vazhdueshme.
Ai sugjeroi zgjerimin e bazës përtej strukturave partiake, me më shumë përfshirje të qytetarëve dhe më pak politizim, në mënyrë që presioni të jetë më i fortë dhe më përfaqësues.
Sipas tij, ndryshimi nuk arrihet me një protestë të vetme, por me vazhdimësi dhe me mekanizma të shumtë presioni.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË:
