“Ky është krim pa ndëshkim”/ Lejet në lumin Shkumbin, Malltezi: Shkatërrimi i natyrës shembi rrugën miliona euroshe

Shembja e një pjese të rrugës së re në aksin Elbasan-Qafë Thanë, pranë fshatit Dragostunjë, nuk është një fatkeqësi natyrore, por një katastrofë e shkaktuar nga dora e njeriut.

Kështu deklaroi në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” , Jamarbër Malltezi, drejtues i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, i cili denoncon se shkaku kryesor i këtij kolapsi infrastrukturor është shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit Shkumbin dhe mungesa e plotë e studimeve të mirëfillta mjedisore dhe gjeologjike.

Sipas Malltezit, qeveria ka lëshuar pesë leje për nxjerrjen e rreth 3.8 milionë metra kub zhavorri vetëm në shtratin e lumit Shkumbin, duke e kthyer atë në një gurore gjigante. Ky veprim, i cilësuar si “kriminal” ndaj ekosistemit, ka cenuar integritetin e skarpatës ku mbështetej jo vetëm rruga e re, por edhe hekurudha. “Ata kanë marrë zhavorre dhe kanë cenuar integritetin e skarpatës. Ajo skarpadë ishte studiuar për vite me radhë para se të ndërtohej hekurudha. Tani, me një vendim të disa hajdutëve në Këshillin Kombëtar të Ujit, vendoset që të bëjnë ç’të duan aty,” shprehet ai.

Malltezi shpjegoi se ndërhyrja në shtratin e lumit është një veprim me pasoja zinxhir.

“Të heqësh zhavorret lumore është si të heqësh intestinet e brendshme të trupit,” citon ai ekologët botërorë.

Ky shkatërrim jo vetëm dëmton ekosistemin lumor, por ndikon deri në vijën bregdetare, pasi lumi nuk transporton më rërë drejt plazheve, por baltë, duke dëmtuar potencialisht edhe turizmin.

Ngjarja në Dragostunjë është rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj logjike shkatërruese, ku gërmimi në bazën e skarpatës ka çuar në rrëzimin e saj.

Ky incident lidhet edhe me një problem më të gjerë, atë të kostove abuzive në infrastrukturë. Malltezi pretendon se çmimi i rrugëve në Shqipëri është 4 deri në 18 herë më i lartë se në pjesën tjetër të botës, duke i konsideruar ato një “modus vivendi për të vjedhur”.

Pavarësisht kostove marramendëse, rrugët po “shkrihen si baltë” pikërisht për shkak të neglizhencës së parimeve bazë shkencore dhe mjedisore.

Duke folur për përgjegjësinë, Malltezi drejton gishtin drejtpërdrejt nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, të cilat i quan “autore të kësaj tragjedie”.

Ndërkohë, reagimi zyrtar është shpallja e mbylljes së aksit për muaj të tërë dhe premtimi për një studim të ri gjeologjik, një veprim që sipas ekspertit është absurd, pasi studimi duhej të ishte bërë përpara se të fillonte ndërtimi dhe jo pasi katastrofa ka ndodhur.

Ndërsa qarkullimi devijohet në rrugë dytësore dhe autoritetet premtojnë studime, problemi themelor i shkatërrimit të mjedisit për përfitime afatshkurtra dhe mungesa e plotë e përgjegjësisë mbeten të pazgjidhura.

PJESË NGA BISEDA

Beti Njuma: Jemi në një kolaps të sistemit rrugor në Shqipëri, ndërkohë që rrugët ëh, kanë ndoshta kostot më të larta në Europë të ndërtimit të tyre.

“Ky është krim pa ndëshkim”/ Lejet në lumin

Jamarbër Malltezi: Absolutisht, është shumë e vërtetë. Për fat të keq, rrugët janë gjetur si  modus vivendi në mënyrë që të vidhet sa më tepër. Pra, çmimi i rrugëve në Shqipëri është katër deri 18 herë më i lartë se ai i rrugëve në botë. Por çfarë bëhet?

Këto rrugë ne e dimë, po i shohim të gjithë se si po shkrihen si balta. Për fat të keq, këto rrugë po bëhen pa studime të mirëfillta, ose me studime shumë të përcipta, duke dëmtuar shumë natyrën. Për fat të keq, kjo qeveri i ka hapur, i ka shpallur luftë natyrës dhe mjedisit, në vend se t'i konsideronte si partnerë. Ç'kuptojmë me këtë?

Që të shfrytëzonte disa nga funksionet e ekosistemit për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e infrastrukturës. Për shembull, mund të ishin zgjidhje shumë të mira infrastrukturë e gjelbër, që të zëvendësonin disa nga nevojat që ne do kishim për funksionalitetin e ekosistemit. Ajo që bëhet, që vihet rruga mu në shtrat lumi, është e tmerrshme.

Tani, unë ju dëgjova edhe të tjerët, edhe juve për mosmarrjen e inerteve. Në fakt, për fat të keq, kjo qeveri, apo të themi, batërdia në këtë qeveri ka bërë që të jepen pesë leje vetëm në shtratin e lumit Shkumbin për të marrë inerte. Jo një, po pesë. Është e tmerrshme. Kthehet, kthehet shtrati i Shkumbinit, kthehet në një gurore. Po kjo është shumë e tmerrshme sepse bëhen pa studime të mirëfillta. Ndërhyrjet, sidomos në zonat bregdetare dhe zonat breg-lumore, kërkojnë studime të mirëfillta të hidraulikës, të hidro-gjeologjisë, të tektonikës, të dinamikës së brigjeve. Është e tmerrshme.

Beti Njuma: Zoti Malltezi, bëhet fjalë për të paktën 3.8 milionë metra kub zhavorr, leje për të marrë nga Shkumbini, për t'ia rrëmbyer shtratit të lumit. Çka është një shifër katastrofike. Nuk e di kush i ka dhënë, kush i ka dhënë lejet dhe cilat janë ata që përfitojnë, po puna është që shtrati i Shkumbinit në këtë moment është i i i gjymtuar plotësisht me këtë sasi.

Jamarbër Malltezi: Kjo është kriminale për natyrën dhe ekosistemin. Të kemi parasysh që ato zhavorre janë krijuar me mijëra e mijëra vjet. Pra, nuk janë zhavorre që krijohen brenda ditës. Të gjithë këtë histori, gjithë këtë, gjithë këtë natyrë, ekosistem të krijuar aty, ti e shkatërron menjëherë. Pse? Vetëm për të vjedhur pak më tepër. Sepse nevoja për inerte, ti mund t'i marrësh nga mali shumë kollaj, pa e dëmtuar fare lumin.

Në një forum mjedisor, para shumë e shumë vitesh, hodha këtë tezën, ore shiko, çfarë mund të bëjmë për të ndaluar marrjen e inerteve nga lumenjtë? Përgjigjja nga të gjithë ekologët e botës ishte, gji, kjo qenka si të heqësh intestinet e brendshme të trupit dhe të mendosh që trupi mund të mbijetojë. Pra, në rast se ti shkatërron zhavorret lumore, ti shkatërron gjithë lumin. Po kujdes, lumi të krijon sedimentologji deri në det, pra të mban detet me plazhet, me rërë. Në rast se ti i heq zhavorret, heq rërën. Çfarë bën? Lumi të sjell dheun, të sjell baltën dhe ti dhe në det dhe në plazhe që ti mendon që turizmin e ke të mirë, ti i mbush ato me dhera dhe me baltovina. Pra, është e tmerrshme. Por kjo që ka ndodhur këtu në Dragostunjë është shumë e veçantë. Është kjo që kemi bërë neve kur kemi qenë të gjithë kalamaj. Imagjinoni të pirgjet e rërave që në majë të tyre ne vendosnim një shkop. Dhe pastaj tërhiqnim rërën në anët e këtij pirgut derisa shkopi të binte. E njëjta gjë kanë bërë këtu.

Beti Njuma: Dhe kjo ka ndodhur në urën?

Jamrbër Malltezi: Kanë marrë zhavorre dhe kanë cenuar integritetin e skarpatës. Ajo skarpatë mbante, është studiuar gjeologjike, gjeologjia, tektonika, hidrodinamika e lumit, para se të bënte ajo hekurudhë atje, për shumë e shumë vite nga Akademia e Shkencave, nga institutet hidroteknike, me gjithë me radhë, që u vendos të vinte hekurudha. Tani me një vendim të disa hajdutëve në Këshillin Kombëtar të Ujit, vendoset që merreni, bëni ç'të doni aty.

Pra kthejeni shtratin e lumit në një kantier ndërtimi, kthejeni lumin në një moçal, merreni zhavorret, shkatërrojeni skarpatat, shkatërrojeni pyjet breg-lumorë, qindra vjeçarë. Dhe të gjitha këto çfarë bëjnë? Cenojnë integritetin e skarpatës, duke u rrënuar skarpata, rrëzon edhe hekurudhën, edhe më tej malin, sepse kjo është si puna e asaj rërës që nuk ndalon vetëm aty ku ti merr rërën, por merr gjithë skarpatën me arrë dhe ajo, domethënë, varet nga dita në ditë se kur mund të bie.

Beti Njuma: Zoti Malltezi, sot kreu i ARSH-së deklaroi se rruga ekzistuese nuk do të hapet, ndoshta jo për disa javë, por ndoshta do të duhen muaj që të hapet dhe qarkullimi do të bëhet nga rrugë të tjera alternative, që janë edhe më të gjata, edhe jo të përshtatshme për, sidomos për mjetet e tonazhit të rëndë, por edhe për qytetarët. Tani, dhe gjithashtu është deklaruar që do të bëhet një studim gjeologjik i të gjithë zonës. A nuk është i vonuar një studim gjeologjik i zonës, ndërkohë që ky studim duhej të ishte bërë që përpara se të niste ndërtimi i kësaj traseje së re të rrugës?

Jamarbër Malltezi: Dhe në përgjithësi ky është një standart që nuk po respektohet më. Këto lejet mjedisore, studimet gjeologjike, konsiderohen si gjëra të dorës së tretë, të parëndësishme dhe ja ku vijmë sot kur rrugët shemben. Për fat të keq ashtu është siç thoni juve, studimet mjedisore, gjeologjike, tektonike, hidrodinamike, hidrogjeologjike, të gjitha me radhë, kanë mbetur në në në rend të tretë, as nuk i shohin fare. I bëjnë thjesht copy paste dhe ka disa studime që janë qesharake komplet, që flasin për zona që mund të jenë 100 km larg njëra-tjetrës. Pse? Se nuk i shikon asnjëri dhe bëhen thjesht sa për t'i pasur në sirtar, që e ka lejen. Po leja, në rast se nuk shoqërohet me analizat paraprake që bëhen, analiza të mirë-detajuara, ajo leje është nul, ajo leje është leje kriminale dhe ato që kanë lëshuar atë leje kriminale duhet të përballur para ligjit. Ne sot kemi autorë, kemi autorë të dallueshëm. Kush janë autorët e kësaj? Është Belinda Balluku, është Mirela Kumbaro. Këto janë autorët e kësaj tragjedie, e kësaj gjëme që ka ndodhur dhe me infrastrukturën dhe me natyrën. Por për fat të keq ne nuk kemi përgjegjësi fare. Nuk kemi përgjegjësi sepse këto i merr në mbroje Edi Rama, mjafton që këto të shërbejnë si lëpirëse të Edi Ramës. Është e tmerrshme të mendohet, po kudo në botë, para se të bëhet çfarëdolloj ndërhyrje, bëhen studime shumëvjeçare, kujdes, të të gjithë gjatësisë së segmentit se ku do të dali. Për shembull, para se të bëhet një urë apo një tunel për çdo 100 metra të saj, bëhet studimi gjeologjik, gjeo-tektonik e gjithë segmentit. Dhe këto të dhëna hidhen në hartë, modelohen, shikohen dhe më pas të vjen raporti mjedisor, i cili i ka parashikuar të gjitha këto dhe thotë cili do jetë ndikimi në mjedis. Ky ndikim a është i madh apo është i menaxhueshëm? A mund të ëh, të ëh, zbutet ky ndikim në mjedis? Për fat të keq, ne te neve jepet njëherë leja, bëhet marrëzia, bëhet shkatërrimi dhe pastaj thotë, hajde tani do fillojë studimin. Po studimi mund të dojë një vit. Çfarë do bësh ti për një vit? Do i lësh gjithë njerëzit të bien nga rrugët e fshatit?

Beti Njuma: Me sa duket, me sa duket kështu do të, kështu do të ndodhë.

Jamarbër Malltezi: Ky është krim pa ndëshkim. Ky është krim, ka autorë, s'ka përgjegjësi.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”