Agjencia e Mbikëqyrjes së Vendimeve Penale, debate në Komision. Lamallari: Forcohet roli i Ministrit

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari konfirmoi sot se krijimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale forcon rolin monitorues të Ministrit të Drejtësisë në sistemin penitenciar.

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes shqyrtoi sot nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.

Duke marrë në konsideratë kohën e mjaftueshme që ka kaluar edhe për konsultime hartimi i këtij projektligji, Lamallari vlerësoi se Ministrit të Drejtësisë i jepet roli që i takon në autoritetin që duhet të ushtrojë për të garantuar mbikëqyrjen e sistemit penitenciar.

“Ashtu siç i kërkohet përgjegjësia politike, patjetër që Ministri i Drejtësisë duhet të ketë edhe kontrollin dhe mekanizmat funksional dhe efektiv për ushtrimin e këtij kontrolli”, tha Lamallari.

Sipas ministrit, drafti i cili ka kaluar filtrin e qeverisë, është konsultuar më tej në çdo germë të tij për t’i dhënë një mundësi Ministrit të Drejtësisë që të jetë plotësisht autoriteti politik që udhëheq dhe mban përgjegjësi për mbikëqyrjen e sistemit penitenciar.

“Unë besoj fort se çdo dispozitë e përfshirë në këtë projektligj i shërben një mekanizmi efektiv dhe funksional të garantimit të mbikëqyrjes. Ndaj mbështes versionin e përcjell nga qevereia siç është shkruar germë për germë nga neni i parë deri në fund”, tha Lamallari.

Ndërkohë lidhur me emërimin e drejtuesit t ë kësaj Agjencie, drejtuesi i komisionit Bledi Çuçi sqaroi se është një standard i unifikuara dhe që duhet të unifikohet akoma në institucionet publike shqiptare që drejtuesit e agjencive duhet të kenë binomin propozues dhe emërtues.

“Në rastin konkret mund të ketë akoma ndonjë agjenci që ka ngelur pa u rregulluar, por të gjitha agjencitë kombëtare në Shqipëri kanë emërim ose nga Këshilli i Ministrave ose nga Kryeministri. Në gjykimin tim personal duhet të jetë nga kryeministri, por u takon strukturave të tjera ta përcaktojnë këtë”, tha Çuçi.

Ndërkohë ai sqaroi se nëse kjo pikë e projektligjit do të ishte sipas variantit të ardhur nga Ministria e Drejtësisë do të kishte vakum pasi ai që propozon nuk mundet edhe ta emërojë drejtuesin e agjencisë.

Duke iu drejtuar ministrit Lamallari, Çuçi u shpreh se argumenti i paraqitur nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë se “bie fuqia e ministrit”, nuk qëndron pasi këtë fuqi e jep ligji.

Në këtë drejtim, Çuçi theksoi domosdoshmërinë e unifikimit të të gjitha sistemeve të emërimeve të agjencive të kësaj natyre në Shqipëri.