Takimi me Andreas Schieder/ Balla: Ky vlerësim rikonfirmon se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE

Në prag të votimit të projektrezolutës së PE për Shqipërinë, Kreu i grupit parlamentar të PS u takua me raporterin Andreas Schieder. Balla thekson angazhimin e mazhorancës socialiste që negociatat për anëtarësim ne BE do të mbyllen në vitn 2027

U takova në Parlamentin Europian me Raporterin për Shqipërinë Andreas Schieder. Draft-Rezoluta për Shqipërinë, e cila do të prezantohet nesër në AFET, përbën një njohje të qartë, objektive dhe inkurajuese të progresit të vendit tonë në rrugën e integrimit europian.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, gjatë vizitës zyrtare në Parlamentin Europian, ku pritet të miratohet draft-rezoluta për Shqipërinë, u takua edhe me Raporterin për vendin tonë, Andreas Schieder.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla thekson se draft-rezoluta përbën një njohje të qartë, objektive dhe inkurajuese të progresit të bërë në rrugën e integrimit europian.

Balla: Dokumenti vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave brenda vetëm 13 muajsh — një rekord në historinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian — dhe vlerëson ritmin dinamik dhe përmbajtësor të negociatave. Ai thekson ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027, duke reflektuar vendosmërinë dhe përgatitjen serioze të Shqipërisë.

Sipas Ballës, draft-rezoluta rikonfirmon se Shqipëria është në rrugën e duhur për në anëtarësimin në BE.

Parlamenti Europian njeh gjithashtu progresin konkret në forcimin e institucioneve demokratike, konsolidimin e shtetit të së drejtës, avancimin e reformave socio-ekonomike, zbatimin e politikave mjedisore, thellimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian.

Projektrezoluta krahas vlerësimeve shpre edhe shqetësimin për polarizim të skajshëm politik, teksa kërkon zbatim të legjislacionit në mënyrë që negociatat të mbyllen sipas aspiratave. Po ashtu drafti vëren sfida si vonesat në çështje dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë në sistemin e drejtësisë, shqetësimin sa i takon nivelit të lartë të korrupsionit dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta, por edhe adresim të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për reforma gjithëpërfshirëse.