Lamallari promovon fushatën ‘S’ka Shkurt’:  Një sistem drejtësie që parandalon dhe që ofron mundësi të dyta për ata që gabojnë

Në Shqipëri është prezantuar fushata “S’ka shkurt”, që synon parandalimin e krimit të të rinjve. Ministri i Drejtësisë, theksoi rrezikun në rritje të nxitjes së kriminalitetit përmes rrjeteve sociale.

Me këtë fjalë të urtë e nisi ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari mesazhin e tij në prezantimin e fushatës “S’ka Shkurt”, një nismë e mbështetur nga OSBE, që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e përfshirjes në paligjshmëri dhe krim.

Lamallari: "Në një farë mënyre, ‘S’ka Shkurt’ është përkthimi modern i kësaj urtësie të vjetër shqiptare; çdo rrugë e shpejtë drejt ‘suksesit’ që anashkalon ligjin dhe mundin, në fund të çon më larg nga ëndrrat e tua."

E cilësoi parandalimin e kriminalitetit tek të rinjtë si prioritet të politikave të dikasterit që ai drejton.

Lamallari: "Angazhimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një sistem drejtësie që ndërhyn herët, që parandalon përfshirjen në krim dhe që ofron mundësi të dyta për ata që zgjedhin të kthehen në rrugën e duhur."

Kreu I ministrisë së Drejtësisë theksoi edhe rrezikun në rritje të nxitjes së kriminalitetit nga rrjetet sociale, ndaj thekso se investimi më i madh që mund të bëhet është mbrojtja e të rinjve nga rrugët e gabuara dhe ofrimi i alternativave reale për zhvillim.

"E ardhmja nuk ndërtohet mbi frikën, por mbi besimin; jo mbi mashtrimin, por mbi meritën. Nuk ka rrugë të shkurtra drejt suksesit. Ka vetëm zgjedhje. Dhe zgjedhja e duhur është gjithmonë ajo që respekton ligjin, dinjitetin dhe të ardhmen"

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, theksoi rritjen e kriminalitetit në radhën e të rinjve.

Tarran: "Në të gjithë rajonin po vëmë re se të rinjtë po përfshihen në veprimtare kriminale në moshë gjithnjë e më të re. Grupet e krimit të organizuar synojnë të rinjtë, shpesh duke i shfrytëzuar ata për të shmangur ndjekjen penale."

Lidhur me këtë, Tarran theksoi se qëllimi i nismës është krijimi i një kundërnarrative përballë krimit dhe ofertave të tij, e për këtë theksoi shtrirje të kësaj fushate në platformat kryesore të rrjeteve sociale në Shqipëri dhe arritjen e saj në audiencat e reja në mbarë vendin.