Akuzohet për shkelje me tenderin 700 mijë euro/ Benet Beci nuk shfaqet në gjykatë

Kryetari i Bashkisë Shkodër, ka kërkuar gjykim të shkurtuar në Gjykatën e Posacme për akuzat e SPAK për shkelje të barazisë në tendera, në kohën kur drejtonte KESH.

Kërkesën Beci e paraqiti përmes avokatit këtë të martë në seancën paraprake të procesit, ku nën akuzë janë edhe persona të tjerë, mes tyre edhe bashkëshortja e Evis Berberit.

Gjykimi i shkurtuar nënkupton pranimin e akteve të paraqitura nga prokuroria, pa hyrë në debat gjyqësor, dhe në rast fajësie përfitimin e uljes me një të tretën e dënimit.

Beci akuzohet se gjatë kohës kur drejtonte KESH-in, bashkë me vartësit ka kryer një procedurë prokurimi me vlerë 700 mijë euro.

Hetimi, I nisur kryesisht mbi bazën e referimeve nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), ka gjetur që dokumentacioni i tenderit dhe mënyra e zhvillimit të tij krijuan avantazhe të padrejta për një kompani të caktuar, duke cenuar konkurrencën e barabartë mes operatorëve.

Në dosjen hetimore të SPAK, përfshihen edhe komunikime të Benet Becit dhe Ervis Berberi, në atë kohë me detyrë drejtori i Agjencisë dhe Eficencës së Energjisë.

Aty përfshihet edhe një komunikim, ku Dritan Dakoli i dërgon shtetasit Evis Berberit një mesazh me përmbajtjen “Harvardi për KESH. Më thanë, hidhi një sy. I thashë, këtë e kanë bërë profesorët, çfarë mund të themi ne të shkretët me dy klas shkollë?”. Evis Berberi i përgjigjet me SMS me tekstin: “Hahaha, kush ta çoi”.

Ndërkohë, prokurori i posaçëm ka kërkuar kalimin e dosjes për gjykim në seancë gjyqësore.