Zhupa: Zëri i banorëve të prekur nga projekti TID duhet të dëgjohet realisht
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa reagoi sot, pas takimit që Kryeministri Edi Rama zhvilloi në bashkinë e Durrësit, me një përfaqësi të familjeve që preken nga projekti TID.
Zhupa tha se banorët e Durrësit nuk u dëgjuan siç e kërkon ligji në konsultim publik për projektin TID. Por, shtoi ajo, “pas shumë betejave, në protesta dhe së bashku në kuvend, sot më në fund po bëjnë një dëgjesë”.
Deputetja e PD-së theksoi se “zëri i banorëve duhet të dëgjohet realisht, të merret në konsideratë sepse ai projekt ka shkelur ligjin dhe duhet të anulohet”.
“Çdo vazhdim i projektit TID do të ishte në dëm të banorëve, interesit publik, të identitetit dhe historisë së Durrësit”, tha Zhupa.
Projekti për Transformimin e Integruar të Durrësit synon rigjenerimin urban të zonave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe zhvillimin e infrastrukturës moderne, por procesi i zbatimit ka hasur në kundërshti dhe shqetësime nga komuniteti lokal.
Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh.

