VIDEO/ Arrestimet e protestuesve, Kalaja: Dy nga personat e ndaluar, janë me aftësi të kufizuar
Avokatja Adriana Kalaja akuzoi policinë dhe prokurorinë se kanë shënjestruar protestuesit e opozitës, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre në tubime si “krimin më të madh”.
Sipas saj, dy prej personave të arrestuar së fundmi janë identifikuar si “protestues të rregullt” të Partisë Demokratike.
Në përfundim të seancës gjyqësore të të ndaluarve në protestën e 10 shkurtit, ajo theksoi se veprimet e organeve ligjzbatuese tregojnë një mllef të hapur ndaj protestuesve.
DEKLARATA E AVOKATES ADRIANA KALAJA
Desha të shtoj vetëm diçka për të mos përsëritur, krimi më i madh sipas policisë dhe organit të akuzës ishin se këta shtetas kanë protestuar për Partinë Demokratike, madje dy prej tyre janë evidentuar si protestues të rregullt.
Ndërkohë unë doja të denoncoja një rast flagrant, sepse edhe në letrat e paraqitura nga policia e shtetit, por edhe nga prokurorja në seancë, evidentohet një mllef ndaj protestuesve, ndërkohë që dy nga personat e ndaluar, janë dy persona të cilët janë me aftësi të kufizuar dhe kanë nevojë nevoja të posaçme për jetën e tyre.
Njëra nga personat e ndaluar, për të cilën në fakt me keqardhje konstatojmë që prokuroria kishte kërkuar arrest në shtëpi, siç është zonja Suzana Dimushi, është e njëjta zonjë që në protestën e 24 janarit është plagosur nga policia e shtetit dhe është e njëjta zonjë ku ditën e protestës, me datë 10 shkurt, në ora 1:00 të drekës, më është kontaktuar, është kontaktuar nga ajo sepse policia e shtetit, në shkelje të plotë të detyrës, të ligjit, kushtetutës, ka shkuar në banesën e zonjës dhe ka kërkuar ta shoqërojë në komisariat për gjithë periudhën e protestës, pa një vendim gjykate dhe pa një urdhër të prokurorit.
Pra, kjo është një tentativë shumë e ulët e policisë së shtetit, e organit të akuzës për të frikësuar qytetarët, demokratët për të dalë në protestë dhe sidomos gjenden njerëz të cilët janë me probleme, me me nevoja të posaçme, por siç ju e patë, Partia Demokratike ka qenë dhe do jetë gjithmonë në krah të protestuesve dhe sidomos për njerëz si Suzana Dimushi e cila nuk ka familje, ajo na ka ne në krah, do na ketë gjithmonë dhe do jetë Partia Demokratike e cila do jetë në krah të çdo protestuesi që arrestohet dhe dhunohet dhe kjo nga një polici e kthyer në shërbim të krimit dhe të korrupsionit.

