Balliu takim me Alexander Fitzsimmons në Mynih: SHBA forcë kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Balliu zhvilloi një takim në Mynih me Ushtruesin e Detyrës së Nënsekretarit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Fitzsimmons, përfaqësues i lartë i United States Department of Energy.
Gjatë takimit, Balliu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë strategjike të partneritetit me SHBA në forcimin e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe institucioneve demokratike.
Ai nënvizoi se opozita shqiptare është e vendosur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lidhjeve të karteleve të drogës me politikën, duke theksuar se kjo betejë është thelbësore për të ardhmen europiane të vendit.
Balliu vlerësoi gjithashtu faktin që administrata aktuale amerikane ka intensifikuar luftën globale kundër karteleve të drogës dhe krimit ndërkombëtar të organizuar, duke theksuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar është jetik për garantimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit ekonomik në rajon.
Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të sigurisë dhe dialogut ndërkombëtar në Mynih, ku çështjet e energjisë, sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar ishin në fokus të diskutimeve.

