VIDEO/ Tabaku: Propozojmë paketë mbështetëse për eksportet shqiptare
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një analizë për sektorin fason u shpreh sot se ky sektor ka vuajtur më së shumti problemet e ekonomisë.
Tabaku shpjegoi se rritja e pagës minimale ka rritur sigurimet shoqërore, duke ngarkuar me 30% shpenzimet e punëdhënësve dhe punonjësve në këtë sektor.
“Për disa arsye, rritja e pagës minimale ka rritur sigurimet shoqërore që paguhen nga punëdhënësi dhe nga punëmarrësi në këtë sektor. Kjo ka rritur ngarkesën e shpenzimeve me 30% që do të dalin nga xhepi i këtyre punonjësve dhe punëdhënësve”, theksoi ajo.
Sipas deputetes, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që paguan taksa prej 8-15% për inputet, gjë që rrit kostot e produkteve dhe i bën ato të vështira për t’u eksportuar.
“Së dyti Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që paguan një taksë 8-15% për inputet dhe çdo produkt shqiptar e ka të pamundur që të eksportohet dhe dalë në tregjet ndërkombëtare vetëm prej kësaj takse. Në total taksat e rrisin në 30% shtesë koston e produkteve”, tha Tabaku.
Së treti, sipas Tabakut, zhvlerësimi i euros ka sjellë pasoja katastrofike për ekonominë shqiptare.
“30% shtesë vjen në këto produkte të zhvlerësuar vetëm si rezultat i euros dhe kjo është arsyeja e tretë përse këto produkte nuk shiten jashtë”, u shpreh Tabaku.
Tabaku theksoi se sektori i prodhimit fason, bujqësia dhe industritë e tjera janë në krizë, punonjësit paguhen më pak, ndërsa biznese të shumta detyrohen të mbyllen ose të largohen nga vendi.
Tabaku njoftoi se së bashku me një grup kolegësh do të propozojnë një paketë konkrete masash për të shpëtuar sektorin nga kriza dhe për të mbështetur eksportin e produkteve shqiptare.

