“Përgjigjen do ta marrë më 20 shkurt”, Boçi paralajmëron Ramën pas vendimit për protestuesit
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë për presion politik mbi drejtësinë, pas një vendimi gjyqësor për disa protestues të rinj.
Duke folur para gazetarëve në përfundim të seancës gjyqësore ndaj protestuesve të ndaluar, ai deklaroi se ndjekjet penale ndaj tij dhe kolegëve të tij janë kthyer tashmë “në rutinë të ekzistencës politike”, si pjesë e përplasjes së vazhdueshme me mazhorancën.
Duke u ndalur te procesi gjyqësor ndaj të rinjve, Boçi theksoi se ai është zhvilluar nën “një trysni të madhe dhe presion shumë të madh politik”.
Sipas tij, Kryeministri Rama dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës “kanë dashur të bëjnë rolin e prokurorit”, duke kërkuar dënimin e protestuesve.
Pavarësisht se vendimi gjyqësor “ka të metat e tij”, ai u shpreh se duhet përshëndetur, duke vlerësuar gjykatësin për integritetin dhe rezistencën ndaj presioneve.
Në deklaratën e tij, ai kritikoi ashpër atë që e quajti “cinizëm dhe agresivitet të Ramës ndaj të rinjve”. Ai u shpreh se në vend që të festonin Ditën e Dashurisë, të rinjve pushteti u ofron “vetëm urrejtje”, në një përpjekje për t’i frikësuar dhe për t’i penguar të marrin pjesë në protestat e ardhshme.
“Por të jetë i bindur që këtë urrejtje do ta marrë shumëfish si goditje, si protestë, si mllef, si revoltë pikërisht nga të rinjtë dhe qytetarët,” paralajmëroi ai.
Boçi i cilësoi të rinjtë protestues si “heronj” dhe “njerëz guximtarë” që luftojnë kundër padrejtësisë dhe për të ardhmen e tyre, duke zgjedhur protestën përballë alternativave si burgu apo largimi nga vendi. Ai përsëriti thirrjen drejtuar të gjithë të rinjve dhe qytetarëve për t'iu bashkuar protestës së paralajmëruar për datën 20 shkurt.
“Të mos mendojë Rama që i ka frikësuar të rinjtë apo ka stepur Partinë Demokratike. Përgjigjen do ta marri në datën 20 Shkurt,” përfundoi ai, duke ftuar të gjithë shqiptarët të jenë në shesh në këtë datë.

