“REVOLUCIONI PAQËSOR” NDEZ KUVENDIN/ Berisha dhe socialistët përplasje për protestën dhe “21 Janarin”

Debati për protestat e opozitës përshkallëzoi tensionet në Kuvend, ku mazhoranca i cilësoi të dhunshme ndërsa opozita i quajti protesta paqësore dhe akuzoi policinë për përdorim force. Përplasjet verbale mes palëve, përfshirë edhe akuza personale edhe përtej etikës.

Protestat që Sali Berisha i quan “revolucion paqësor” por mazhoranca I cilëson të dhunshme, ndezën debatin politik në Kuvend

Balla: Së pari, në emër të grupit parlamentar të PS dua t’i bëj një thirrje PD të distancohet nga dhuna e përsëritur nga protestat e thirrura.

Akuzave të mazhorancës për tentativë të vrasjes së policisë, Sali Berisha iu përgjigj me pretendime për sulme me plumba gome ndaj pjesëmarrësve.

Kryedemokrati mohoi akuzat për dhunë ndaj policisë, duke pretenduar se nuk pat as policë të dëmtuar.

Berisha: Asnjë polic në urgjencë, nxirrni një gërvishtje, një të plagosur, gënjeshtar.

Por kësaj akuze iu përgjigj vetë ministrja e Brendshme Albana Koçiu.

Koçiu: Siç ishe zotrote në spital, edhe unë isha në spital, por ti zgjodhe të mos shohësh policët, ti zgjodhe të mbyllje sytë.

Debati u zhvendos edhe tek 21 janari

Braçe: Nuk mund të vihet këtu dh të na thuhet që gjuajtët me ujë dhe plumba gome.

Imuniteti i zëvendëskryeministres ishte një tjetër temë që shkaktoi debate mes opozitës e maxhorancës.

Boçi: Mblidhni Këshillin e mandateve, justifikimi juaj për Kushtetuesen ka rënë, mblidh Këshillin e Mandateve.

Për këtë cështje, Sali Berisha e tejkaloi etikën.

Berisha: Kurrë ndonjëherë të dashur qytetarë nuk keni pasur në këtë sallë një grup njerëzish, të cilët shkelmojnë mbi interesat tuaja jetike për të mbrojtur, më falni, në pamje të parë vithet e Belindës, në të vërtetë Edi Ramën.

Kjo solli ndërprerjen e seancës, pasi ish-kryeministrit iu ndërpre fjala.

Me tu kthyer në seancë, pati reagime nga socialistët,

Sara Mila: Si ka mundësi që vazhdon të djegësh Shqipërinë prej 30 vitesh vetëm për prapanicën tëndë, të familjes tënde, të njerëzve të tu dhe nuk u lodhe për atë prapanicë ti?