Akti normativ, Xhixho: Qeveria heq para nga xhepat e shqiptarëve për të paguar kostot e arrogancës dhe keqqeverisjes

Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi se me aktin normativ, qeveria heq para nga xhepat e shqiptarëve për të paguar kostot e arrogancës dhe keqqeverisjes.

FJALA NË PARLAMENT E DEPUTETES TË PARTISË SË LIRISË, ERISA XHIXHO

Diskutojmë sot aktin normativ me të cilin qeveria heq para nga xhepat e shqiptarëve për të paguar kostot e arrogancës dhe keqqeverisjes.

Kryeministri që pak vite më parë na thoshte se Shqipëria nuk do të ketë asnjë çështje të humbur në arbitrazh, na sjell sot faturën e dështimit dhe mashtrimit të tij.

Beccheti vazhdon të marrë nga fondet e taksapaguesve shqiptarë për gjobën prej 110 milionë eurosh, e cila është rritur shumë më tepër për shkak të kamatave e kostove të procesit. Ndaj sot Edi Ramës i duhet të gjejë fonde për Albcontrol, të cilës i janë bllokuar llogaritë në Eurocontrol për shkak të çështjes Beccheti.

Me këtë akt normativ shtohen 40 milonë euro në buxhetin e kompanisë Albcontrol.

Këto para mund të shërbenin për ilaçet që mungojnë te Onkologjiku, për aparaturat që nuk punojnë, për ngrohjen e spitalit apo për blerjen e gjeneratorëve, kur në mënyrë kriminale ikin dritat 30-40 minuta në QSUT duke rrezikuar jetën e pacientëve sepse asnjëherë nuk ka sistem mbështetës funksional.

Këto janë paratë e mësuesve, mjekëve dhe pensionistëve që sot shkojnë nëpër gjyqet e humbura ndërkombëtare nga arroganca e një kryeministri.

Dështimet e qeverisë kthehen në faturë për qytetarët. Ata qytetarë që pak ditë më parë u përmbytën dhe askush nuk u erdhi në ndihmë.

Mjafton të kujtojmë Durrësin, ku janë investuar 19 milionë euro për hidrovorin, por qyteti mbeti nën ujë për ditë të tëra. Ky është simboli më i qartë i abuzimit me paratë publike: miliona euro të shpenzuara, zero funksionim, zero përgjegjësi. Qeveria nuk e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme sepse nuk do të dëmshpërblejë qytetarët e dëmtuar.

Ndërkohë që paratë derdhen lumë për klientët e qeverisë, kostot e jetesës për qytetarin janë dyfishuar, por ky nuk është një problem për qeverinë. Sot produktet ushqimore bazë në Shqipëri kushtojnë rreth 50% më shtrenjtë se në Europë, ndërkohë që pensioni shqiptar mesatar është vetëm 170 euro në muaj.

Familjet shqiptare shpenzojnë sot të paktën 40% të buxhetit familjar vetëm për ushqim, pra vetëm për mbijetesë. Ndërsa qytetarët varfërohen, qeveria pasurohet. Vetëm në 8 muaj kanë hyrë gati 5 miliardë euro në arkën e shtetit. Të ardhurat gjatë vitit 2025 u rritën me 7.3% ose 340 milionë euro më shumë, para që dolën drejtpërdrejt nga xhepat e qytetarëve. 

Këto para shkojnë për rrugë të florinjta që dalin jashtë funksionit sa bie shiu i parë, shkojnë për projekte fantazmë si Durana Tech Park, e kthyer në parajsë fiskale me bekimin e qeverisë për 50 kompani, shkojnë për grupin kriminal të AKSHI-t qe edhe pse nën hetim vazhdojnë paguhen tenderat korruptivë njësoj si paguajmë për inceneratorët fantazmë.

AKSHI-t, kjo histori suksesi, ku edhe në shtator u proklamua edhe ministrja digjitale antikushtetuese, sot është në kolaps.

Sistemi digjital ka paralizuar shërbimet për mijëra biznese dhe individë, ndërkohë mijëra pacientë kanë mbetur pa ilaçe, pasi pacientet kanë kodet nga mjekët, por recetat nuk ekzekutohen në farmaci sepse sistemi nuk hapet. Për të sëmurët me kancer, për të sëmurët kronikë, për moshat e treta, kjo situatë është rrezik për shëndetin e tyre.

Ndërkohë Ergys Agasi e dhjetëra kompani të tjera fiktive të kësaj bande mafioze kriminale të AKSHI-t kanë ngritur një skemë si ajo e inceneratorëve, sepse ky model qeverisjeje vetëm me skema të tilla punon.

Të dashur qytetarë!

Para ka, por nuk shkojnë për t’u shërbyer njerëzve, por për tunelin e Llogarasë 75 milionë euro, për vinotekën 4 milionë euro të Ergys Agasit apo për kopshtin Eden të Ramës në Kryeministri plot 4.2 milionë euro.

Sepse kjo qeveri noton në luks, ku vetëm vera është 33 mije euro dhe ku një nga tenderat e AKSHI-t për blerjen e çokollatave ishte 10 milionë euro! Turp, turp për një vend ku qytetarët janë zhytur në varfëri dhe mezi mbyllin muajin, ku prindërit mezi përballojnë koston për të shkolluar fëmijët dhe çiftet e reja nuk blejnë dot një apartament sepse u duhet minimalisht 60 vjet, pasi kjo Tirana jonë e betonizuar është kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit.

Ndërsa Durana Park iu dha leja të operonte me taksa 0, e njëjta qeveri refuzon të ulë TVSH-në për ushqimet e shportës nga 20 % ne 5% siç është propozuar nga Partia e Lirisë. Sot paguajmë më shtrenjtë se Gjermania e Italia për ushqimet bazë dhe taksohemi më shumë se kudo tjetër në Europë. Pra 0 taksa për bandën e qeverisë dhe lumë taksash për qytetarët që mezi mbyllin muajin.

Shqipëria është kthyer në vendin e paradokseve. Zv. Kryeministrja nën akuzë penale dhe nën hetim vazhdon të mbetet në detyrë duke qenë një akt i paprecedentë, por që njëkohësisht tregon hapur frikën e Edi Ramës nga drejtësia dhe tentativën e dëshpëruar të tij për të mbrojtur veten e tij si urdhëruesi i çdo afere korruptive.

Dhe skandali më i madh që po ndodh ende sot është kur ky Kuvend përdoret si mburojë politike nga qeveria duke penguar drejtësinë. Kjo qeveri që dilte në çdo cep dhe thoshte se kurrë nuk do bëhej pengesë për drejtësinë, se mjaftonte një kërkesë nga prokuroria dhe menjëherë Kuvendi do të hiqte imunitetin e çdo deputeti. Por çfarë ka ndodhur, pyesin qytetarët, që kjo maxhorancë ka ndryshuar qëndrim?

Është tashmë e qartë për të gjithë që urdhëruesi i aferës së Llogarasë, AKSHI-t dhe çdo afere në këtë vend është vetë Edi Rama dhe tashmë në mënyrë antiligjore kërkon të mbrojë veten e tij nga fundi i pashmangshëm.

Ndaj protesta e 24 janarit e trembi aq shumë Edi Ramën pasi forca e qytetarëve u shpërfaq për të gjithë duke treguar se kush është sovrani para të cilit çdo qeveritar duhet të japë llogari.

Mijëra shqiptarë i treguan Edi Ramës dhe bandës që ai udhëheq, se vendi i tyre është përpara drejtësisë dhe jo në zyrat e shtetit. 

Ndaj thirrjen e qytetarëve duhet ta dëgjojnë edhe ata që nuk kanë vesh ta dëgjojnë.

Reagimi i pushtetit më 24 janar ishte prova më e qartë e frikës nga qytetarët.

Dhuna me urdhër e ushtruar mbi protestuesit, arrestimet kriminale të qytetarëve paqësorë dhe të miturve 14 vjeç, helmimi me lëndë toksike te skaduar i popullit e gazetarëve, është reagimi kriminal dhe dëshpëruar i një regjimi që i ka ardhur fundi!

Në vend që të jepni llogari për këto veprime, vini e fyeni protestuesit dhe ligjëroni veprimet e një policie në shërbim të një bande.