Haxhinasto: Qeveria me rendiment të ulët, investimet publike ranë me 52 mln €

Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ka kritikuar aktin normativ të qeverisë, duke thënë gjatë fjalës së tij në Kuvend, se rendimenti i punës së saj është i ulët dhe se investimet publike kanë rënë me 52 milionë euro.

Sipas Haxhinastos, qeveria është e fokusuar te shifrat dhe jo te krijimi i një raporti të drejtë mes të ardhurave, shpërndarjes së tyre dhe kostos së jetesës.

Nga ana tjetër, ai ka nënvizuar se balanca sociale dhe solidariteti duhet të ishin objektiva kryesore të qeverisjes, por sipas tij këto mungojnë në mënyrën se si shpërndahen paratë publike.

Deputeti ngriti pikëpyetje mbi rialokimin e fondeve, duke theksuar se këto para duhej të ishin planifikuar që në fillim të vitit dhe jo të rishpërndaheshin për shkak të mosrealizimeve.

“Të kesh rendiment të ulët të investimeve publike është papërgjegjshmëri. Këto fonde do të duhej të shkonin për familjet e reja, për sigurinë e jetës, sidomos atë ushqimore”, u shpreh Haxhinasto.

Ai kritikoi gjithashtu faktin që fonde janë parashikuar për dieta dhe shërbime për Policinë e Shtetit, ndërkohë që sipas tij mungojnë investimet për familjet e përmbytura, shëndetësinë dhe arsimin.

Sipas deputetit të PL-së, investimet në teknologji dhe informacion janë të pamjaftueshme, ndërsa mungon vëmendja për luftën kundër analfabetizmit.

Në përfundim, Haxhinasto theksoi se rënia e investimeve publike me 52 milionë euro është tregues i qartë i performancës së dobët të qeverisë.

Fjala e deputetit të PL-së:

“Ky akt normativ konfirmon bindjen se rendimenti i punës së qeverisë është i ulët. Shifrat janë objekt i saj i rëndësishëm dhe jo vendosja e një raporti të drejtë dhe dinjtoz me të ardhurave, shpërndarjes dhe kostos së jetesës.

Balanca e kësaj duhet të ishte objektiv parësor i qeverisjes, por sigurisht që aktualisht as dhembshuria, as solidariteti social nuk kanë vend në mënyrën sesi shpërndahen paratë publike. Pse duhet të shkojnë paratë tani që bëhet rialokimi?

Këto para duhet të ishin planifikuar që në fillim. Të kesh rendiment të ulët të investimeve publike, kjo më duket një papërgjegjshmëri.

Do kisha dashur që këto para të shkonin për çështje themelore për vendin, të shkonin për familjet e reja, të investoheshin në sigurinë e jetës, sidomos në atë ushqimore.

Këtu ka para për dieta, për policinë, por si ka mundësi që dietat dhe shërbimet për policinë, paguhen tani ku ka mosrealizime.

Kjo më duket çudi e madhe. Për familjet e përmbytura, do doja të shihja para për ta. Do kisha dashur të shihja më shumë te shëndetësia.

Do kisha dashur të kisha parë investime më serioze te arsimi. Do doja më shumë investime në sektorin e teknologjisë dhe informacionit, ‘Diella’ është shumë e pamjfatueshme.

Do kisha dashur të shkonin para, për të luftuar analfabetizmin. Investimet publike kanë rënë me 52 milionë euro."