Gjyqi i të arrestuarve të protestës, Këlliçi: Kjo bëhet për të stepur të rinjtë për të dalë në protestë
Partia Demokratike ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë dhe Policisë së Shtetit pas protestës së fundit, duke denoncuar përdorimin e dhunës disproporcionale si një strategji për të frikësuar qytetarët dhe për të shuar zërin e opozitës kundër korrupsionit.
Në një dalje për mediat nga Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës pas arrestimit të protestuesve paqësorë më 24 janar, deputetët e PD, Belind Këlliçi dhe Besart Xhaferri deklaruan se arrestimi i 19 të rinjve dhe mënyra e zhvillimit të operacionit policor dëshmojnë për një skenar të mirëmenduar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas tyre, gjatë protestës janë përdorur metoda të paprecedenta, si fikja e dritave, prania e policëve pa mjete identifikimi dhe rrethimi i selisë së PD-së nga “banditë dhe fundërrina patronazhistësh”.
Ata pretendojnë se të rinjtë protestues janë marrë me makina civile dhe jo policie, duke i cilësuar autorët si “ordinerë dhe halabakë” që nuk mund të jenë pjesë e forcave të rendit. Këto masa, theksojnë nga PD, janë në disproporcion të plotë me një protestë ku asnjëri prej pjesëmarrësve nuk kreu akte dhune.
Për Partinë Demokratike, këto veprime nuk janë të rastësishme, por pjesë e një “maskarade qeverisëse” që synon “normalizimin e korrupsionit”. Sipas tyre, qeveria po tenton të stepë të rinjtë dhe qytetarët nga protestat, duke goditur zërat që ngrihen kundër vjedhjeve dhe aferave korruptive.
Ata njoftuan se Departamenti Ligjor i partisë po përgatit një kallëzim penal kundër zyrtarëve të policisë për dhunën e përdorur, përdorimin e gazit të skaduar dhe “pengmarrjen” e protestuesve. “Të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë dhunë do të jenë para drejtësisë. Asaj drejtësie të re, por edhe asaj të së ardhmes, që do të jetë jashtë ndikimit politik,” u shpreh njëri prej tyre.
Në deklaratë u vu në dukje kontrasti i thellë mes ashpërsisë së policisë ndaj protestuesve dhe paaftësisë së saj për të arrestuar persona të shumëkërkuar, adresat e të cilëve, sipas PD-së, janë publike. Duke e cilësuar situatën si dëshmi të një “regjimi”, opozita shprehu bindjen se “brutaliteti i regjimit rritet kur i afrohet rënia”.

