“Amnistimi” i shpifjes, deputeti i PS-së sqaron draftin. Mile: Po i jepet më shumë hapësirë gazetarëve
Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal lidhur me veprën penale të shpifjes kanë ndezur debate të shumta, por sipas mazhorancës, ato vijnë pikërisht në mbrojtje të gazetarëve.
Deputeti socialist Erjo Mile, në një intervistë për “Ora News” sqaroi pikat e projektligjit të propozuar për dekriminalizimin e shpifjes së gazetarëve.
Ai tha se amendamentet e reja përjashtojnë nga përgjegjësia penale një kategori të caktuar gazetarësh, duke synuar të krijojnë më shumë hapësirë për lirinë e informimit.
Sipas deputetit Mile, ndryshimi thelbësor në nenin 120 të Kodit Penal, i konsultuar edhe me Këshillin e Europës, shton një paragraf të ri që ofron imunitet për gazetarët. Konkretisht, propozimi thekson se “një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë”, nuk do të mbajë përgjegjësi penale për përhapjen me mirëbesim të informacionit përmes medias së shkruar, audiovizive apo platformave online.
Ky ndryshim, sipas tij, i del në krah profesionistëve të medias dhe ka për qëllim të favorizojë punën e tyre.
“Këto ndryshime janë pikërisht ndryshime që i dalin në favor të gazetarëve,” u shpreh ai, duke shtuar se legjislacioni i ri i përjashton ata nga ndjekja penale për shpifje.
Megjithatë, pika kyçe e debatit mbetet kriteri i “gazetarit të regjistruar”. I pyetur se kush konsiderohet i tillë, deputeti Mile shpjegoi se kjo kategori përfshin individët që janë të regjistruar në organe profesionale si urdhri i gazetarëve, që punojnë pranë një medie dhe që operojnë “në të pastër”, duke iu referuar punës formale.
Sipas tij, ky përcaktim është i nevojshëm për të parandaluar abuzimin me termin “gazetar” nga persona që mund të përhapin dezinformata dhe më pas të kërkojnë mbrojtje ligjore.
“Nuk mund të konsiderojmë gazetar një person i cili punon në të zezë. Me këtë moment ne fillojmë dhe kemi të bëjmë me abuzimin e termit,” theksoi ai. Qëllimi, sipas deputetit, është të mbrohet misioni i gazetarisë së vërtetë dhe të mos amnistohet çdo veprimtari nën pretekstin e informimit publik.
Në këtë mënyrë, ndërsa ndryshimet ligjore ofrojnë një mburojë të re për gazetarët, debati përqendrohet tek përkufizimi dhe kriteret që do të përcaktojnë se kush do të përfitojë nga ky imunitet, duke lënë të hapur diskutimin mbi rregullimin e profesionit.
Ai tha se amendimet që po i bëhen Kodot Penal, përkatësisht nenit 120 të tij që ka të bëjë me figurën e shpifjes është një amendim i konsultuar me Këshillin e Evropës dhe është një amendim që i jep më shumë hapësirë gazetarëve.
“Me ndryshimin e sotëm i ofrohet më shumë hapësirë informimi dhe më shumë të drejtë fjale për gazetarët”, tha ndër të tjera Mile.
PJESË NGA INTERVISTA
Do të përpiqem të jem sa më koncize me pyetjet sepse e di që ndërkohë seanca vijon dhe dua ta respektoj të gjithë kohën. Një nga çështjet më të diskutuara përgjatë ditës së sotme janë ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, veçanërisht në lidhje me shpifjen. Si synon të garantohet balanca mes mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë ligjore pa e rrezikuar censurën dhe pse duhet politika të ndërhyjë në rregullimin e këtij profesioni?
Erjo Mile: Për të qenë dhe më të saktë dhe për të qenë sa më të vërtetë, sidomos dhe me shikuesit tuaj, duhet që t'i referohemi konkretisht ndryshimeve që po bëhen.
Amendamentet që po i bëhen Kodit Penal, për sa i përket nenit 120 që ka të bëjë me figurën e veprës penale të shpifjes, është një amendament i cili është i konsultuar me Këshillin e Europës dhe i del në krah duke i lejuar më shumë hapësirë qytetarëve, më falni, gazetarëve.
Nëse ju do të dëshironi dhe më keni durimin, unë mund t'ju lexoj konkretisht, për të qenë më i saktë, veprën dhe pastaj amendamentin që i kemi bërë ne, për të kuptuar se si këto ndryshime janë pikërisht ndryshime që i dalin në favor të gazetarëve.
Pra, shpifja, neni 120 thotë, përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacioni tjetër, duke ditur se janë të rreme, që cënojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50,000 deri në 1,500,000 LEKË. Po kjo vepër, kur kryhet në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50,000 lëkë deri në 3,000,000 lekë.
Kjo është vepra aktuale. Ndryshimet e sotme sjellin një paragraf shtesë të kësaj vepre, e cila është pikërisht në favorizim të gazetarëve dhe konkretisht ndryshimet janë: një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë nëpërmjet legjislacionit në fuqi, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ushtron aktivitetin, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes, sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave, thënieve, ose çdo informacioni tjetër, përmes shtypit, medias, audiovizive, medias elektronike dhe platformave të tjera të komunikimit publik. Dhe më pas sqaron edhe, po themi, situatat e tjera që qartësojnë ose më saktë përbëjnë përhapjen e informacionit.
Pra qartësisht, nëse do ta shikojmë, kjo është një vepër e cila i përjashton gazetarët nga kjo vepër penale, duke i lejuar atyre më shumë hapësirë të informimit dhe më shumë të drejtë fjale.
Sa për çështjen, a po ndikon politika në regjistrimin e gazetarëve, ose kush duhet të jetë gazetar apo jo. Unë nuk e shikoj kështu dhe nuk e mendoj fare.
Pikërisht, z. Mile ndjesë se do të ndërpres sepse e kemi shumë të qartë atë se çfarë shkruhet dhe të gjithë se çfarë ka të bëjë me këto propozime. Por pa diskutim në njërën anë mund të ngrihet edhe pyetja, cilët gazetarë janë të regjistruar? A ka gazetarë të regjistruar dhe a mund të ndikojë në një farë mënyre, a mund të quhet edhe një tentativë për të ndërhyrë se kush quhet gazetar dhe kush jo?
Erjo Mile: Absolutisht jo, unë nuk e shikoj kështu. Unë besoj dhe ligji vetë e përcakton, gazetari duhet të jetë të paktën i regjistruar në urdhrin e gazetarëve.
Duhet të jetë një person i cili punon pranë një media dhe ai punon në të pastër, pra nuk mund të jetë, po themi, do të do të konsiderojmë gazetar edhe një person i cili punon në të zezë.
Se me këtë moment ne fillojmë dhe kemi të bëjmë me abuzimin e termit, po, në të zezë, në mënyrë informale. Pra ne këtu kemi të bëjmë pastaj me abuzimin e fjalës gazetar. Pra në një farë mënyre dhe çdo person i cili mund të konsumojë këtë vepër penale, mund të dali dhe të thotë unë jam gazetar, e bëra këtë në kuadër të gazetarisë dhe të misionit për informim publik.
Unë besoj që një gazetar është një gazetar i cili punon pranë kësaj, ëh, pranë një medie të caktuar, ose është ai i cili ka hapur një platformë të caktuar mediatike, është i regjistruar si punonjës i rregullt, është i regjistruar në Unionin e Gazetarëve.
Pra nuk mund të themi që në kuadër të misionit të tyre të shenjtë, siç e konsideroj unë gazetarin, në misionin e tyre për të shpërndarë informacion për publikun dhe të vërtetën, ne të amnistojmë ose themi të amnistojmë çdo lloj veprimtarie që mund të bëjë dikush nën kuadrin e suazës të të qenit gazetar.
Unë mendoj që edhe për ju gazetarët kjo nuk është një, nuk është një qasje e drejtë dhe një qasje e rregullt. Sepse shumë persona mund të, mund të shpërndajnë lajme të pavërteta dhe mund të, mund të abuzojnë me pretendimin që po informojnë publikun.
Por në fakt, në një farë mënyre dhe gazetari është një mision dhe një profesion shumë i nderuar, shumë i rregullt dhe ai duhet të jetë në, në dritë, të punojë në dritë dhe të bëjë misionin e tij që pa, që të gjithë e respektojmë. Edhe ky ligj këtë, këtë qëllim ka, t'i krijojë më shumë favore dhe më shumë hapësirë gazetarëve.
Zoti Mile, të falenderoj shumë për saktësimin që po na jep. Unë në pozicionin që kam në këto momente nuk mund të jap mendimet e mia personale mbi atë se çfarë mendoj dhe po përpiqem që të jem sa më analitike dhe të qëndroj vetëm brenda kornizave të pyetje-përgjigje në këtë rast, ë, sepse jam në thonjëza në konflikt interesi, se po flitet për një profesion siç, siç unë e kam. Projektligjet janë justifikuar, po e them në thonjëza...
Erjo Mile: Ndërsa unë jam shumë i nderuar që bashkë me mazhorancën time po bëjmë një punë shumë të mirë për të mbrojtur më tepër gazetarët dhe profesionin tuaj të nderuar.
NDIQNI INTERVIUSTËN E PLOTË ME DEPUTETIN E PS, ERJO MILE



