Dule denoncon dh*nën policore dhe situatën ekonomike në Kuvend: Gaz lotsjellës të skaduar ndaj protestuesve, qytetarët në varfëri
Deputeti i PD Vangjel Dule, e ka cilësuar fjalimin e Ministres së Brendshme si të papranueshëm dhe duke denoncuar justifikimin e dhunës policore në protestën e 24 janarit. Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, Dule tha se forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës të skaduar ndaj protestuesve.
Më tej, ai kritikoi ashpër mungesën e një ndjese apo marrjes së përgjegjësisë, duke theksuar se në vend të kësaj, mazhoranca ironizon situatën. Në fjalën e tij, Dule hodhi poshtë narrativën e qeverisë për një “ekonomi në lulëzim”, duke e cilësuar atë si një fasadë që fsheh një realitet të zymtë ekonomik për qytetarët.
Sipas tij, të ardhurat për frymë të një shqiptari janë sa 35% e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa shpenzimet individuale arrijnë vetëm në 42% të mesatares së BE-së.
“E nderuar kryesuese e seancës, të nderuar kolegë. Ndryshe e kisha konceptuar diskutimin në këtë seancë, por pas fjalës së ministres së Brendshme, dëshiroj që të shprehem ndryshe. Me gjithë respektin institucional, zonja ministre, ishit e papranueshme.
Nuk mund të vini dhe të justifikoni dhunën brutale të ushtruar nga policia. Një nga viktimat e asaj dhune është edhe folësi nga ky podium. Keni hedhur gaz lotsjellës të skaduar. Është krim!
Në vend që të kërkoni një ndjesë dhe të vini përpara përgjegjësisë zinxhirin komandues që dhanë urdhra të papajtueshëm me ligjin dhe Kushtetutën, vini dhe silleni sikur situata nuk ekziston. Nuk është hera e parë që individë dhe segmente të forcave të sigurisë devijojnë nga detyrat e tyre kushtetuese.
Edhe në sallën e Kuvendit, disa prej forcave të sigurisë ngatërrojnë rolin e tyre me atë të militantit partiak, duke u kundërvënë në mënyrë personale parlamentarëve.
Ne vijmë këtu me një ndërgjegje dhe kemi detyrimin përballë Kushtetutës, përpara çdo detyrimi ndaj kujtdo tjetër. Reflektoni, sepse jeta politike nuk mbaron me një mandat qeveritar. Shikoni paraardhësit tuaj në atë post. Me këtë dëshironi të ikni edhe ju?
Kur një fëmijë 14-vjeçar del dhe thotë se është goditur nga forcat policore, ju na thoni se është shoqëruar sipas rregullave. Duhej urgjentisht të urdhëronit kontroll administrativ.
Diskutojmë një akt normativ që tregon se qeveria improvizon. Buxheti rishikohet jo një herë, por disa herë në vit. Flisni për rritje ekonomike, por cili është qëllimi i ekonomisë? Shifrat apo mirëqenia e qytetarëve?
E ardhura për frymë e qytetarit shqiptar është 35% e mesatares së Bashkimit Evropian. Shpenzimet individuale me fuqinë blerëse janë 42% e mesatares së BE-së. Të fundit në Evropë. Për çfarë arritjesh flitet pas 13 vitesh në qeveri?
Familjet në nevojë i gjetët keq në 2013 dhe më keq po i lini në 2026. Vetëm spekulim, vetëm mashtrim, vetëm hajdutëri, vetëm korrupsion – të ngritura në sistem. Ju vidhni me çdo ligj, me çdo projekt, me çdo vendim.
Me rritjen galopante të çmimeve, sa të ardhura shtesë nga TVSH-ja pati buxheti? Sa shkuan për shtresat në nevojë, për pensionistët, për qytetarin e thjeshtë?
Si ua shpjegoni qytetarëve se në Bullgari karburanti shitet 1.4 euro, në Rumani 1.5, ndërsa në Shqipëri 1.7? Për sa kohë mendoni se maska e bamirësit do të fshehë fytyrën e mashtruesit dhe grabitësit," tha Dule.

