S*lmi me sprej në protestë, Bilani: Rashë përtokë, më s*lmoi një person me uniformë policie. Sytë i kam ende shumë të rëndë...

Fotoreporteri Felix Bilani ka rrëfyer momentet që përjetoi gjatë protestës kombëtare të opozitës, ku sipas tij u sulmua me sprej piperi direkt në fytyrë, duke humbur për disa sekonda orientimin dhe duke rënë përtokë. I ftuar në emisionin “Studio24”, Bilani u shpreh se një ngjarje e tillë është e paprecedentë në historinë e protestave në vend.

“Kurrë në historinë e protestave nuk është sulmuar me gaz lotsjellës apo sprej piperi në fytyrë”, deklaroi ai, duke përshkruar situatën e tensionuar pranë selisë së Partisë Demokratike, ku ishin të pranishëm topi i ujit, automjete policie dhe dy deputetë të PD-së që po konfrontoheshin me efektivët.

Sipas fotoreporterit, ai ishte duke kryer detyrën profesionale, me aparatin fotografik në një dorë dhe telefonin në tjetrën për të xhiruar pamje për redaksinë, kur papritur u sulmua. Gjithashtu, ai tregoi se pas incidentit u transportua me ambulancë, ku iu dha oksigjen, ndërsa theksoi se përdorimi i sprejit duhet të bëhet me kujdes, pasi pasojat mund të jenë serioze.

“Nuk pashë më asgjë, vetëm ndjeva sprajin në fytyrë dhe për 3-4 sekonda rashë në tokë. Unë jam diabetik dhe kardiak. Policia duhet ta dijë që nuk përdoret spraji kundër njerëzve pa ditur pasojat”, tha Bilani, duke shtuar se personi që e spërkati ishte i veshur me uniformë policie.

Më pas, Bilani tregoi se u dërgua në QSUT, ku efekti i sprejit nisi të zbehej, por për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe fizike, ai vendosi të largohej me vullnetin e tij nga spitali.

“Firmosa që do të dilja me dëshirën time dhe shkova në shtëpi. Kam konsumuar qumësht dhe ujë, sipas këshillës së miqve mjekë. Sytë i kam ende shumë të rëndë, sepse isha në distancë shumë të afërt kur u përdor spraji”, tha Bilani.