EMRAT/ Plagosi të bijën dhe kolegun e saj në Durrës, arrestohet pas disa orësh 56-vjeçari

Një 56-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit pasi akuzohet se ka plagosur rëndë me thikë të bijën dhe kolegun e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së hënës në qendër të qytetit, ku Mikel Ndoj, pas një konflikti, sulmoi vajzën e tij 24-vjeçare, Xhesika Ndoj, dhe kolegun e saj, Onard Memlika.

Sipas të dhënave paraprake, Ndoj ka shkuar në agjencinë imobiliare ku punonte e bija, në lagjen numër 12. Pasi 24-vjeçarja ka dalë jashtë zyrës, mes tyre ka nisur një debat verbal, i cili ka agravuar me shpejtësi. Autori ka goditur të bijën 4 herë me thikë, ndërsa ka plagosur edhe kolegun e saj, i cili ndërhyri për të ndalur sulmin.

Të dy të plagosurit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Durrësit, ku bëhet me dije se gjendja e Xhesika Ndojt paraqitet më e rëndë. Ndërkohë, autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes, por u kap dhe u arrestua nga forcat policore brenda pak orësh.

Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por burimet bëjnë me dije se Mikel Ndoj dhe bashkëshortja e tij ishin në proces divorci. Gjithashtu, mësohet se 56-vjeçari, me origjinë nga Mirdita, kishte qenë më parë i dënuar në Itali dhe ishte kthyer së fundmi në Shqipëri. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Njoftimi:

Durrës

Plagosi me thikë vajzën e tij, për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 56-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera nga specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, të DVP Durrës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:

-M. N., 56 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas dyshohet se sot, rreth orës 10:00, në lagjen nr. 12, Durrës, në rrugë, ka plagosur me thikë vajzën e tij 24 vjeçe, për motive të dobëta. Gjithashtu, 56-vjeçari ka goditur me thikë shtetasin O. M., i cili ka ndërhyrë për ta ndaluar atë, në momentin e plagosjes së vajzës.

2 shtetasit e plagosur po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, "Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër”, mbetur në tentativë dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".