Deti ‘ha’ argjinaturën e Divjakës/ Dëme nga erozioni sjellin përzierjen e lagunës së Karavastasë me Adriatikun
Kjo e hënë ka sjellë dëme të rënda në vijën bregdetare të Adriatikut, në zonën e Divjakës, ku argjinatura detare është çarë si pasojë e motit ekstrem.
Erërat e forta deri në 8 ballë krijuan dallgë që arritën deri në 3 metra lartësi, të cilat kapërcyen argjinaturën mbrojtëse, duke shkaktuar shembjen e saj.
Si pasojë, mbi 70 metra argjinaturë ranore janë gërryer dhe shkatërruar nga forca e detit, ndërsa ujërat e kripura kanë vërshuar drejt lagunës së Karavastasë dhe tokave bujqësore në zonën e Bedatit.
Sipas specialistëve, situata u krijua pasi dallgët e mëngjesit kapërcyen lartësinë mbrojtëse të argjinaturës.
Edhe pse në këtë segment janë kryer katër ndërhyrje investuese, me spostimin gradual të argjinaturës drejt tokës lagunore, erozioni detar ka vijuar përparimin, duke shkatërruar çdo pengesë mbrojtëse.
Pasojat janë të rënda edhe për bizneset e zonës, të cilat raportojnë se deti ka marrë rreth 1 800 metra tokë, duke krijuar vështirësi serioze për zhvillimin e aktivitetit turistik.
Sipërmarrësit paralajmërojnë se, nëse nuk ndërhyhet me investime emergjente nga shteti, ujërat detare nuk po zhdukin vetëm plazhin dhe lagunën, por po afrohen gjithnjë e më shumë drejt zonës së banuar të Bedatit.
Si pasojë e erozionit të vazhdueshëm, mbi 1 800 metra vijë plazhi në këtë zonë janë zhdukur, ndërsa deti është bashkuar me lagunën e Karavastasë, duke ndryshuar ndjeshëm hartën natyrore të territorit.
