'Shkrirja' e Kadastrës së Vlorës ndez revoltën, 55 punonjës kundër zhvendosjes në Tiranë
Vendimi për shkrirjen e Kadastrës së Vlorës dhe zhvendosjen e saj në Tiranë ka shkaktuar reagime të forta brenda institucionit.
55 punonjës kanë firmosur një peticion, përmes të cilit kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të vendimit.
Vendimi është firmosur më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ndërsa zhvendosja pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Punonjësit shprehen se ky hap është marrë pa transparencë dhe pa konsultim, duke ngritur shqetësime serioze për fatin e vendeve të punës dhe për shërbimin ndaj qytetarëve vlonjat.
Kadastra e Vlorës ka qenë prej kohësh në qendër të kritikave, për shkak të ndryshimeve të shpeshta në drejtim, që kanë sjellë probleme në funksionim.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga drejtuesit e Kadastrës lidhur me peticionin e punonjësve.
