Rochester Institute of Technology në Tiranë, kapitull i ri në partneritetin SHBA–Shqipëri

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi një vizitë në Akademinë Amerikane të Teknologjisë në Tiranë, e cila prej një viti ofron programet e diplomave të Rochester Institute of Technology (RIT) në Shqipëri.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë përcolli në rrjetet sociale momente nga vizita e VanHorn në Institutin Rochester të Teknologjisë duke vënë në dukje se përsosmëria amerikane në arsim vazhdon të formësojë të ardhmen e teknologjisë dhe inovacionit në mbarë botën.

“Hapja e Rochester Institute of Technology në Tiranë shënon një kapitull të ri në partneritetin SHBA–Shqipëri, duke fuqizuar brezin e ardhshëm të udhëheqësve të teknologjisë me arsim të nivelit botëror, sipas modelit amerikan”, nënvizoi ambasada amerikane.

Po ashtu, ambasada shpreh mbështetjen për RIT Tirana teksa ndërton një fuqi punëtore të talentuar dhe forcon lidhjet mes vendeve tona.

RIT Tirana nisi aktivitetin vjeshtën e kaluar në vitin akademik 2025-2026 duke ofruar programet e diplomave të Rochester Institute of Technology (RIT) në Shqipëri. me standard të ri në arsimin e lartë teknologjik në vend.

Kampusi i ri i RIT po krijohet në bashkëpunim me Institutin “Harry Fultz” në Tiranë dhe ofron bachelor of science në Teknologji Informacioni (Computing and Information Technology) dhe Inxhinieri Elektrike (Electrical Engineering Technology).

RIT Tirana ofron një diplomë të akredituar nga SHBA, të lëshuar direkt nga RIT New York.