JA KRITERET/ 1067 vende vakante në Shërbimin Civil
Këshilli i Ministrave miratoi sot 1067 vende vakante për vitin 2026 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e Shërbimit Civil.
Nga këto 11 vende do të jenë për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues, 99 për kategorinë e mesme drejtuese, 205 për kategorinë e ulët drejtuese dhe për kategorinë ekzekutive 752.
Fondet buxhetore për vendet vakante të planifikuara për rekrutim për vitin 2026 janë pjesë të fondeve buxhetore të miratuara me ligjin e buxhetit për vitin 2026 për secilin institucion të administratës shtetërore.
Plotësimi i vendeve vakante në kategorinë ekzekutive, kategorinë e ulët drejtuese, apo në kategorinë e mesme drejtuese bëhet së pari, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e posaçme për vendet e lira.
Vendet, që mbeten të lira në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele për kategorinë ekzekutive, plotësohen nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil, ku mund të konkurrojnë të gjithë ata kandidatë jashtë shërbimit civil.
Ndërsa për kategorinë e ulët dhe atë të mesme drejtuese, plotësohen nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të një kategorie paraardhëse, të punësuar në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për hapjen e procedurës së pranimit të drejtpërdrejtë në TND edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil dhe për përdorimin e procedurës së pranimit të drejtpërdrejt në TND, për vitin 2026.
Pranimi në TND bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një konkursi kombëtar.
Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 11.

