Tatimet 'zbarkojnë' në terren/ Eksperti Sefa: Gjatë tre viteve do kemi kontrolle mbi bazë risku, jo 100% e kompanive...
Pas një muaji fushate paralajmeruese nga Administrata Tatimore drejtuar subjekteve të ndërtimit dhe agjencive imobiliare për formalizim të sektorit, Tatimet kanë zbarkuar në terren për zbatimin e tij.
Ky aksion, sipas ekspertit Ergis Sefa, nuk është i rastësishëm dhe pritet të zgjasë deri në vitin 2027.
“Gjatë tre viteve që vijnë, të kemi aksionet të herë pas hershme dhe kontrolle dhe moderime mbi bazë risku.
Pra, jo 100% të kompanive, qofte ndërtuesa, qoftë agjenci imobiliare, dhe të kontrollohet...”- tha Sefa.
Sipas tij, qëllimi kryesor i këtij operacioni është të verifikohet nëse po zbatohet lista e pagave referencë.
Subjektet që nuk i zbatojnë këto rregulla përballen me sanksione tatimore dhe masa ndëshkuese.
Në rastet kur zbulohet diferencë mes çmimit real të shitjes dhe atij të deklaruar, Tatimet nuk mjaftohen me gjoba.
Dosjet referohen në prokurori për evazion fiskal, ndërsa në rastet më të rënda, hetimet shtrihen edhe për pastrim parash.
Në përfundim Sefa shton se vetëm përmes vetërregullimit dhe transparencës, tregu mund të formalizohet dhe çmimet në pasuri të paluajtshme të stabilizohen.
Deri tani nga kontrollet e kryera në 9 agjenci imobiliare, ndër më të mëdhatë në vend, rezultoi shkelje si evazion me çmimet e shitjes së apartamenteve dhe nëndeklarim të pagave për punonjësit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara tatimet sekuestruan edhe kompjutera si bazë të provave materiale për dokumentim të shkeljeve dhe referim të tyre në prokurori.
