Administrata në zgjerim/ Shërbime në kolaps
Në vitin 2025, administrata publike ka arritur nivele rekord si në numrin e punonjësve ashtu edhe në shpenzimet buxhetore. Numri i të punësuarve është rritur nga 163 mijë në vitin 2014 në rreth 184 mijë, ndërsa fondet për paga janë rritur nga 71.4 miliardë lekë në 129 miliardë lekë. Paralelisht, investimet për qeverisjen digjitale janë rritur ndjeshëm, duke arritur në rreth 500 milionë euro në katër vitet e fundit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre shifrave, qytetarët dhe bizneset po përballen me vështirësi serioze në aksesimin e shërbimeve publike.
Platforma e-Albania dhe sistemet e fiskalizimit kanë shfaqur ndërprerje të shpeshta, duke penguar marrjen e dokumenteve, kryerjen e procedurave dhe zhvillimin normal të aktivitetit ekonomik.
Bizneset raportojnë humbje kohe dhe të ardhurash, ndërsa mungon një pikë përgjegjësie ku të ankohen apo të marrin zgjidhje konkrete.
Ekspertët vërejnë se investimet në teknologji nuk janë shoqëruar me kapacitete të mjaftueshme teknike dhe njerëzore, duke krijuar një hendek mes shpenzimeve dhe funksionimit real të administratës publike.
