"Linja e dytë e vjedhjes së Behar Çukajt me Bankers përmes kompanisë Simmons, 35 mln euro me një dorë, i implikuar edhe i biri, refuzohet deklarimi në QKB"
SPAK ka marrë tashmë në dorë dosjen e mashtrimit të madh nga kompania kineze Bankers Petroleum Albania, e cila në bazë të evidencave dhe të një hetimi modest nga Prokuroria e Fierit, përfaqëson vjedhjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar. (Të ardhurat e kompanisë zhvatëse nga nafta janë rreth 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet (fiktive) rreth 7 miliardë euro).

Zhvatja e pasurisë nëntokësore të Shqipërisë besohet se është më e madhe, duke përfshirë kontrabandën e naftës, ndotjet dhe shkatërrimin e nëntokës së Shqipërisë përmes shpërthimeve me fuqi të madhe, të palejuara dhe me pasoja shkatërrimtare, me qëllim maksimalizimin e nxjerrjes së naftës.
Të gjitha të dhënat flasin për një organizatë kriminale që ka vepruar në dy dekada. Krerët e organizatës nuk kanë vepruar vetëm, por në bashkëpunim me ‘ustallarët’ shqiptarë dhe të huaj, gjithnjë në koordinim të heshtur me qeveritë. Janë të përfshirë politikanë, avokatë, drejtorë, deputetë, biznesmenë, sekserë etj., lista është mbi 100.

Një nga ‘ustallarët’ shqiptar, me të cilin administratorët e Bankers kanë bashkëpunuar në vjedhje dhe pastrim parash, duke fryrë shpenzimet për punë imagjinare, është biznesmeni i naftës, Behar Çukaj, njëherësh përfitues i dhjetëra milionë euro para publike, përmes tenderave me pazar në tavolinë.

Bankers Petroleum rezulton se ka kaluar dhjetëra milionë euro në llogaritë e kompanive të Behar Çukajt, bazuar në kontrata të dyshuara si fiktive. Përfitimi ka qenë i dyanshëm. Kompania ka fryrë shpenzimet, duke shmangur taksat dhe përfituar nga TVSH-ja, ndërsa Çukaj ka përlarë thasë me para në dukje të ligjshme, duke i investuar më pas në ndërtim.
Përmes kompanisë Bolv Oil shpk, oligarku i naftës Behar Çukaj ka zbatuar vetëm një prej skemave të vjedhjes së pasurisë publike në bashkëpunim me Bankers. Prapaskena sjellë evidenca, të cilat ngrenë dyshime të forta që Behar Çukaj, bashkë me të birin Olsi Çukaj, janë të implikuar në një tjetër linjë përvetësimi parash me Bankers, përmes kompanisë Simons.

Kompania Simmons Edeco Limited në Shqipëri, degë e kompanisë kanadeze Simons, që ofron shërbime shpimi, rezulton një nga kontraktorët kryesorë të Bankers Petroleum në rritjen e shpenzimeve, me qëllim për të mos paguar taksa. Përmes kontrave me negocim të drejtpërdrejtë me Bankers, Simmon ka përfituar dhjetëra milionë euro, për shërbime të dyshuara si fiktive. Një raport i AKBN në vitin konstatoi se Bankers ka kontraktuar Simons pa procedura prokurimi, duke inflacionuar kostot në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Raporti i AKBN, i kontestuar nga Bankers, është konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatave. Përfaqësues ligjorë të kompanisë Simmons në Shqipëri janë pikërisht Behar Çukaj dhe i biri Olsi Çukaj. Jo rastësisht kanë pasur funksione në këtë kompani Enea Nuhu, Olgita Adhamidhi dhe disa ‘zanatçinj’ të tjerë pjesë e bankave dhe kompanive me dosje në SPAK.

Po aq i dyshimtë është fakti që kompania pranoi të pezullonte aktivitetin në shtator 2022, duke refuzuar zbatimin e ligjit për deklarimin e pronarëve përfitues. Refuzimi për të deklaruar pronarin fundor të Simmons ngre dyshime të forta se pronari real mund të jetë një nga oligarkët shqiptarë.

Vështirësi të mëdha ka hasur edhe Prokuroria e Fierit për të gjetur pronarin përfitues të Bankersit. Në fund, prokuroria ia ka lënë Hongping Xiao barrën e pronarit, por Xiao është thjeshtë haduti kinez i radhës. Shteti shqiptar sot nuk e di se cili është pronari i kompanisë më të madhe naftënxjerrëse që shfrytëzon prej 20 vitesh pasurinë nëntokësore shqiptare.
Në kuadër të skemës së shpenzimeve të tepërta për të mbajtur kompaninë në vijimësi me humbje me qëllim për të shmangur në këtë mënyrë pagesën e tatimit mbi fitimin, Bankers vetëm në vitin 2011 i pagoi Simmons 35 milionë euro për shërbime të dyshuara fiktive ose pjesërisht fiktive.
Nga viti 2005 deri në vitin 2022 Bankers i ka paguar Simmons dhjetëra milionë euro me qëllim rritjen e shpenzimeve dhe devijimin e fitimeve. Kompania Simmons e lidhur me Behar Çukajn, e kontraktuar nga Bankres, rezulton me fitime nga 6 deri në 10 milionë euro në vit, ndërsa vetë Bankers dilte me humbje. Bankers e ‘varfër’, kompanitë derivate që merrnin punë nga Bankersi, shumë të pasura.
Gropën 6 miliardë euro në ekonominë shqiptare Bankers nuk e ka bërë vetëm. Bankers ka bashkëpunuar me kompanitë Simons, Bolv Oil, Albstar, Tea-co, Hoh, Crosco, Phoenix Technology, Western Atlas, Smape, Q.Sinaj, H&A Law Firm, Mirgen Dervishi PF, Studio Legale Cerekja, Besnik Cerekja PF, AKSENT L&BC, PKF Albania, Business Corporate Tax Consulting, Eida etj. Janë mbi 50 funitorë. Vetëm kompanisë së huaj Hoh, Bankers i ka paguar me një dorë 73 milionë euro, për shërbime që nuk ekzistojnë, me fatura fiktive.
Çdo kompani e kontraktuar nga Bankersi, shumica e të cilave i fshehin pronarët në offshore, është një histori më vete korrupsioni.
Skema e vjedhjes me Bolv Oil
Behar Çukaj është pronari i kompanisë së naftës Bolv Oil shpk, ku si administrator të besuar mban ‘mjeshtrin’ e tenderave Agron Bulkun. Përmes kompanisë Bolv Oil, i skeduar nga Autoriteti i Konkurrencës për marrëveshje të ndaluara dhe krijimin e monopoleve, kontrollon një kartel kompanish për shitje makinash, ndërtimi, institucione private arsimore, hidrokarburesh, kërkimi nafte, prodhim bitumi, ruajtje fizike etj.

Nga viti 2008 dhe në vijim, kompania Bankers ka kontraktuar kompaninë Bolv Oil për kryerjen e shërbimeve të transportit, sipas hetimeve dhe një raporti auditues, me qëllim zhvendosjen dhe kamuflimin e fitimit, shmangien e taksave, përfitimin nga rimbursimi i TVSH dhe pastrimin e parave. Vetëm gjatë vitit 2011, Bankers ka kaluar në llogaritë e kompanisë Bolv Oil mbi 10 milionë euro.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të Bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011 dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit ishin të parregullta.
Në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, thuhet se Bankers duhet të derdhte në buxhetin e shtetit 60 milion dollarë tatim fitim, pasi përmes mashtrimit të bilanceve ajo ka deklaruar shpenzime të fryra dhe në shkelje të kontratës që ka me Shqipërinë. Për të shmangur taksat dhe fshehur fitimet, Bankers kishte sajuar 247 milion dollarë shpenzime.
Behar Çukaj pastroi paratë në ndërtim?
Paratë e paligjshme që ka përfituar nga skema zhvatëse e Bankers, Behar Çukaj dyshohet se i ka pastruar në ndërtim, mbi prona të grabitura. Një pjesë e parave dyshohet se i ka pastruar për ndërtimin e kompleksit me vila Tulipan në Farkë, disa nga të cilat i kanë blerë politikanë të korruptuar, drejtorë dhe figura të krimit të organizuar. Tulipani është hinka e parave të evazionit fiskal, korrupsionit dhe trafikut të kokainës.
Në vitin 2019, Behar Çukaj themeloi kompaninë e ndërtimit B & O Construction, me administrator Zaho Jaçaj, ish-Drejtor i Tatimeve Fier që i ka fshirë mbi 5 milionë euro detyrime tatimore me aktivitetin e import- tregtimin e karburanteve.

Në të njëjtën kohë, Behar Çukaj, i skeduar dhe i lakuar edhe si kontrabandist karburantesh, falsifikator cilësie e zhvatës nafte nga depozitat e Albpetrol, për pastrim parash dhe lidhje me dy El Chapo kokaine në Fier, i vuri syrin një sipërfaqe prej 50 mijë m2, në fshatin Mjull Bathore që i përket komunës Farkë, mes TEG dhe Saukut, për të ndërtuar kompleksin e vilave ‘Tulipan’.

Së pari, prona publike dhe private është denoncuar në mediat se është tjetërsuar me dokumente false, mbivendosje dhe zhdukje letrash, duke kaluar në disa duar dhe në fund në duart e Behar Çukajt.
Së dyti, kompanitë e Behar Çuakjt, edhe pse me bilanc zhvatje dhe kontrabande me vlerë dhjetëra milionë euro, kanë një kapital më pak se 9 milionë euro, ndërkohë që investimi për të ndërtuar kompleksin është rreth 90 milionë euro. Vlera e kapitalit të Bolv Group në raport me vlerën e investimit, ngre dyshime të forta për një operacion masiv të pastrimit të parave që janë produkt i aferës me Bankers dhe aktivitetet e tjera të paligjshme.

Në të njëjtën zonë, biznesmeni i naftës Behar Çukaj ka përlarë edhe 35 mijë m2 të tjera prona, duke aplikuar për leje për ndërtim vilash, disa nga të cilat për bosë të krimit të organizuar, trafikantë droge, ish ministra, deputetë dhe ish deputetë, drejtorë të korruptuar etj.

Kjo sipërfaqe prej 35 mijë m2 është përfituar me letra false bazuar në një dosje të prokurorisë në vitin 2011, pasuar në një vendim gjykate, ku janë dënuar disa nga falsifikatorët Masar Dushku, Fiqiri Dallashi dhe Halil Teqja, përgjegjës për administrimin e tokave të ish Komunës Farkë.
Jo vetëm kaq. Por, Behar Çukaj dyshohet se po ndërton edhe pa leje në këtë zonë nga ankthi për të mbyllur sa më shpejt kantierët e ndërtimit para ndonjë lëvizje të mundshme nga SPAK-u.
33 milionë euro tendera
Behar Çukaj ka përfituar edhe tendera publikë me disa kompani të tij si Olsi shpk, Bolv Oil etj. Rreth 20 milionë euro tendera, Çukaj i ka marrë vetëm përmes kompanisë së hidrokarbureve Olsi shpk, kompani që mban emrin e të birit. Mbi 13 milionë euro tendera i ka marrë me kompaninë Bolv Oil. Mbi 20 tendera i ka marrë me kompaninë Autovizion, kamuluar me kompaninë Bolv Oil. /Marrë nga "Prapaskena"

