Qeveria vendos krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e organizimit të brendshëm, të organeve drejtuese e të mënyrës së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM).

Sipas vendimit të qeverisë, AKEM është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, e themeluar me qëllim përmbushjen e objektivave të përcaktuar në ligjin  “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për mjedisin.

AKEM ofron kundrejt pagesës, shërbimin e trajtimit fundor të mbetjeve dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Kapitali fillestar për krijimin e AKEM është 20 milionë lekë.

Ministria e Mjedisit, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme ligjore për themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare, regjistrimin e AKEM në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Organet drejtuese të AKEM janë: Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit; Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 milionë lekë përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.