PAMJE/ I rikthehet normalitetit rruga Qukës-Qafë Plloçë pas bllokimit nga masivi shkëmbor, ja kur nis sërish qarkullimi

Rruga Qukës–Qafë Plloçë do të jetë e hapur plotësisht për qarkullimin e mjeteve nga dita e hënë, 19 janar, pas 11 ditësh bllokimi si pasojë e një rrëshqitjeje masive në lotin e 3-të të aksit.

Punonjësit e kompanisë kanë larguar gurët dhe dheun e rënë pas reshjeve të 7 janarit 2026, dhe tani po bëhen pastrimet dhe larjet e fundit për ta bërë rrugën të aksesueshme në të dy korsitë.

Derisa puna për rehabilitimin e skarpatave dhe asfaltit të dëmtuar do të vazhdojë, lëvizja për mjetet e zonës së Mokrës ka nisur që sot, por vetëm në një korsi në zonën e rrëshqitjes.

Nga e hëna qarkullimi do të jetë i plotë në të dy korsitë.

Po ashtu është pastruar edhe rrëshqitja masive e muajit dhjetor, ku u ndërtua një bypass për kalimin e mjeteve. Kjo është shembja e tretë masive që nga hapja e rrugës, për shkak të terrencit argjilor delikat dhe reshjeve të dendura të shiut.

Inxhinierët thonë se deri tani nuk janë konstatuar zona të tjera me rrezik, por do të bëhet kontroll i plotë i lotit të 3-të.