Kush e dekonspiroi operacionin e Call Center-ave?/ SPAK jep detajet: Pronarët u paralajmëruan

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë në një njoftim zyrtar lidhur me një operacion të gjerë të zhvilluar në Tiranë kundër disa Qendrave Thirrjesh (Call Center).

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar një Call Center që punonte në godinën Atti Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë Katedrales Ortodokse. Nga aty, një grup i organizuar dyshohet se ka mashtruar kryesisht shtetas italianë, duke i bindur të investonin në platforma të rreme kriptomonedhash.

Hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Hetimi u nxit edhe nga denoncimet e disa qytetarëve italianë që thanë se ishin mashtruar.

Gazetarët arritën të futeshin në Call Center duke infiltruar një shtetas italian, i cili punoi aty dhe tregoi nga brenda se si funksiononte skema.

Sipas SPAK, punonjësit e Call Center-it telefononin viktimat dhe i bindnin të transferonin para në kriptomonedha, duke u premtuar fitime. Në realitet, paratë shkonin në llogari virtuale të kontrolluara nga drejtuesit e aktivitetit të paligjshëm.

Hetimet tregojnë se drejtuesit kishin vendosur edhe kamera dhe persona që vëzhgonin ambientet nga jashtë, për të sinjalizuar çdo rrezik.

Paralajmërimi dhe zhvendosja e pajisjeve

Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pasi dyshohet se u njoftuan për një kontroll të mundshëm, drejtuesit e Call Center-it boshatisën zyrat në “Atti Tower” dhe larguan pajisjet gjatë natës.

Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kapën 6 persona në flagrancë, teksa po transportonin pajisje kompjuterike drejt një ambienti tjetër në godinën Downtown One, në Bulevardin “Bajram Curri”. Një pjesë e pajisjeve po tentoheshin të asgjësoheshin.

Më pas, SPAK ka ndaluar edhe 2 persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj. Njëri prej tyre, Alfred Prekaj, rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e cila merret me Call Center dhe telemarketing.

Gjatë kontrolleve në 28 ambiente – banesa, zyra, makina dhe garazhe – janë gjetur dhe sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, laptopë, karta SIM, dokumente, kamera sigurie dhe automjete. Mes tyre është edhe një Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve.